Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se pas numërimit të mbi 67 për qind të votave nga përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje prin me 81.97 për qind apo 5.581 vota.
Në vendin e dytë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 511 vota, apo 7.50 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 6.14 për qind apo 418 vota, pasuar nga koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Konservatorët e Intelektualët me 1.50 për qind apo 102 vota.
KQZ-ja ka njoftuar se pas numërimit të votave për partitë do të publikojë edhe rezultatet e kandidatëve për deputetë.
Numërimi i këtyre votave nga diaspora për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit nisi pasditen e 26 shkurtit.
Më 8 shkurt, për herë të parë Kosova organizoi votim fizik të pjesëtarëve të mërgatës në përfaqësitë diplomatike të shtetit në botë.
Votimet u mbajtën në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës.
Pjesëmarrja në votimet në ambasada dhe konsullatat e Kosovës nëpër botë ishte 73.56 për qind, përkatësisht nga 20.324 persona të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike, 15.552 prej tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë.
Pjesëtarët e diasporës po ashtu kanë votuar edhe përmes postës. Por, ato vota, së bashku me votat me kusht brenda Kosovës dhe votat e personave me nevoja të veçanta do të nisin të numërohen në ditët në vijim, pasi të jenë skanuar listat përfundimtare të votuesve të 9 shkurtit, në mënyrë që të shmangen rastet e votimeve të dyfishta.
Ndërkaq, sipas rezultateve preliminare, që përfshijnë numërimin e votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 40.80 për qind të votave të fituara, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.05 për qind. E treta ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.64 për qind të votave, pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.46 për qind të votave të fituara. Nga partitë e komunitetit serb, më së shumti vota ka marrë Lista Serbe, përkatësisht 4.62 për qind./ REL
Komente
