Tashmë Presidenti i Republikës siç i takon me Kushtetutë ka caktuar datën e re të zgjedhje për Bashkinë e Kukësit. Nuk duhet të analizojë ngjarjet e Kukësit që çuan në zgjedhje të parakohshme, por sigurisht këto zgjedhje, le të themi se vijnë pas një “trauma” institucionale dhe kulturore, nëse mund ta konsiderojmë kështu duke pasur parasysh realitetin social-kulturor të banorëve të Kukësit.
Një karakteristikë dhe një mësim i rastit të Kukësit dhe jo vetëm është fakti, se duhet të hiqet dorë nga dominimi i Partisë apo pushtetit në vendosjen e kandidaturave dhe po ashtu edhe në traditën abuzues që është përdorur rëndomtë në vitet e fundit, që njerëz nga Tirana dërgohen për të marrë bashkitë e periferisë, ndonjëherë duke u nisur nga origjina e kandidatëve e ndonjëherë tjetër si të deleguar të pushtetit qendror për të mbrojtur interesat politike dhe ekonomike në dem të banorëve.
Duhet të nis një kulturë e re, ajo europiane tashmë e afirmuar, që zgjedhjet lokale duhet të konsiderohen ekskluzivisht lokale qoftë në formatin e kandidaturave e po ashtu edhe në mënyrë e organizimit të fushatave lokale. Liderët e partive nuk duhet as të ndërhyjnë e as të marrin pjesë në fushatë elektorale.
Mendoj, se në këto zgjedhje në Kukës dhe jo vetëm, PD duhet të krijojë një standard të ri politik të modelit europian duke mos ndërhyrë në çështjet e degës së PD në Kukës, qoftë në fazën e propozimit të kandidatëve, në vendime të tjera të rëndësishme për të marr pjesë në zgjedhje apo edhe në organizimin e fushatës elektorale.
Lideri i PD, ka për të detyrë moral dhe politikë të merret me politikën kombëtare, përfaqësimin e partisë në mënyrë dinjitoze dhe po ashtu për të bërë gati subjektin për zgjedhjet e përgjithshme parlamente, të zakonshme ose të jashtëzakonshme. Mendoj se detyra kryesore dhe vendimtare aktualisht e Lulzim Bashës është që të udhëheq bashkë me forumet dhe strukturat riorganizimin, hapjen dhe ringritjen e PD në pritshmëritë e merituara duke e bërë parti fituese në çdo rast të zgjedhjeve parlamentare.
Banorët e Kukësit dhe vetë krahina, duke qenë se me ndarjen e re administrative ka kompetenca të gjera me një territor relativisht të madh, kanë nevojë për figura dinjitoze përfaqësimi në nivel lokal, që jeton çdo ditë me ta dhe që është sensibilës për problemet e administrimit të çështjeve lokale.
Çdo kandidaturë ose potencial kandidimi nuk duhet të jetë në shërbim të Partisë në Tiranë, as të liderit politik të saj, por vetëm të banorëve që ai do të përfaqësojë si dhe pasqyrojë vlerat dhe virtytet që karakterizon banorët e kësaj krahine të nderuar.
Kryetari i Bashkisë nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë një që jeton në Tiranë, i deleguar nga Tiranë, që vjen si turist dy tre ditë në javë dhe pastaj në fundjavë kthehet në Tiranë tek familja e tij.
Qytetarët e Kukësit si fillim, por jo vetëm, kanë nevojë për modele demokratike të administrimit të proceseve të brendshme të PD si dhe të kenë lirinë e tyre për të vendosur dhe për të zgjedhur atë që mendojnë se i përfaqëson më mirë, më drejtë dhe në mënyrë dinjitoze.