Kandidatet per kryetare te PD

Opinion

Zgjedhjet në PD tregojnë se çfarë demokracie do të ndërtojë Basha

1 Qershor 2021, 16:40| Përditesimi: 1 Qershor 2021, 16:43

  • Share

Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës ka nxituar të shpallë zgjedhjet për kryetarin e saj pas humbjes së 25 Prillit. Krahas hijes së Sali Berishës, që bekon figurën e Bashës, fitorja e këtij të fundit në garën brenda partisë paracaktohet edhe nga teknika që po ndiqet. Aspak i trembur nga përballja me tre kundërshtarë të tjerë, Lulzim Basha duket i pamjaftuar me rezultatin e 13 qershorit që të gjithë e marrin me mend qysh tani. Kryetari i PD jo vetëm që nuk ‘ngriu’ si në 2017-ën kur garoi me Eduard Selamin, por ka vënë në dispozicion të tij të gjithë ‘artilerinë e rëndë’ që i ofron posti në formë privilegjesh.

Lulzim Basha që para 25 Prillit mendonte se po e kapte ngushtë Edi Ramën duke i kërkuar debat publik, nuk po e zhvillon këtë me kundërshtarët e tij. Madje, e refuzon një debat me Shehajn, Harxhin e Kadillin para anëtarësisë së PD-së, e jo më ta kërkojë. Ai ka zgjedhur që fushatën e nisur qytet më qytet ta përdorë jo për të parashtruar risitë që do të sillte lidershipi i tij në vijim në krye të partisë, por për të thënë kundër qeverisë ato që harroi t’i thoshte para zgjedhjeve të përgjithshme. Mungesa e një debati brenda PD-së tregon qartë sesi Lulzim Basha paraqitet në publik me dy standarde, për të mos thënë fytyra.

Gjithashtu, përdorimi që ai po i bën resurseve të PD-së nën cilësinë e kryetarit në favor të emrit të tij personal, është një tjetër element që e bën garën të pandershme. Lulzim Basha po përdor automjetin që i jep karrigia si kryetar për të gjezdisur Shqipërinë. Po përdor zyrën, paratë e PD-së për të marrë salla me qira dhe shumë të tjera. Nëse gara do të ishte e barabartë, a nuk do të duhej që edhe kandidatët e tjerë të kishin të njëjtat mundësi? Sikur të mos mjaftonin këto, e gjithë makineria e  propagandës që Lulzim Basha ka krijuar në selinë blu, i është vënë në shërbim. Ai po paraqitet si një personazh i ndryshëm nga ai i humbësit të 25 Prillit. Ndërkohë, zyra e shtypit nuk harron t’i shpërndajë lajmet në çdo redaksi, t’i zbardhë fjalimet, t’i bëjë foto profesionale që më pas kalojnë përmes Photoshopit derisa mbërrijnë në portale. Ta filmojnë me kamera e t’i bëjnë montazhin e radhës takimit. Ndërsa tre rivalët e tij edhe pse anëtarë Kryesie apo Këshilli Kombëtar nuk i kanë këto burime njerëzore dhe privilegje.

Tani që 13 qershorit sa vjen dhe i afrohemi, është e kotë që nga Lulzim Basha të kërkohet një garë me standarde perëndimore. Historia e Partisë Demokratike ka treguar se kurrë nuk ka pasur zgjedhje të lira dhe meritokraci brenda saj, qoftë edhe kur ka ardhur puna për të zgjedhur kryetarin e komunës më të humbur në vend. Fatkeqësia ka qenë se ato zgjedhje që s’ia ka dhënë dot asnjëherë vetes, nuk ua ka ofruar dot as shqiptarëve. Ndaj edhe ‘gara’ e tanishme e Bashës tremb për llojin e demokracisë që zotohet t’u japë shqiptarëve nesër.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?