Për ekspertët, afati 31 maj për përfundimin e punës së këshillit politik nuk është pengesë për reformën zgjedhore. Kristaq Kume, eksperti që është pjesë e kësaj tryeze, shprehet se e vetmja barrierë për mos realizimin e ndryshimeve në Kodin Penal është mungesa e vullnetit politik nga të dyja palët.
“Theksoj se nuk është koha që kushtëzon realizimin e konsensusit,është vullneti politik. Mënyra se si janë duke u sjellë dhe para dhe tani partitë politike të bën të mendosh se më parë kanë interesin e tyre politik se sa interesin qytetar. E gjitha kjo mund të bëjë që cfarë është bërë deri tani të mos realizohet në nivelin e synuar”, shprehet Kume.
Bojkotin e opozitës jashtë parlamentit në mbledhjen e fundit, eksperti Kristaq Kume e sheh si një zvarritje të punës së kësaj tryeze politike.
“Mbledhja e ardhshme do të bëhet sapo pjesa tjetër e Këshillit politik, përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentit do të bien dakord të marrin pjesë. Ajo cfarë do të realizohet do të jetë vazhdimi dhe realizimi i vendimmarrjes nga ky Këshill në mbledhjen e fundit të tij, trajtimi deri në nivel vendimmarrje për cështje të caktuara, pjesë e axhendës së Këshillit politik si problemet e financimit apo të kuotës gjinore”, tha Kristaq Kume.
Por cfarë pritet të diskutohet në mbledhjen e radhës nëse PD-LSI do të jenë në mbledhje? “Në vlerësimin tim vendimi për bojkot për të mos marrë pjesë në procesin e nisur nuk është vendimmarrje që mund ta përfshijë më afër realizimit të objektivave të opozitës jashtëparlamentare. Bojktoi nuk ka sjellë rezultate për opozitën parlamentare i referohem largimit nga institucionet për zgjedhjet e 30 qershorit”, tha ndër të tjera eksperti.
Mbetet ende i paqartë qëndrimi i opozitës jashtë parlamentare lidhur me punën e Këshillit Politik për reformën zgjedhore, ndërkohë që dy bashkëkryetarët e reformës zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari deklarojnë se nuk kanë një komunikim zyrtar nga palët e tjera politike për ecurinë e diskutimeve. Ndërkohë, që kanë mbetur më pak se dy javë nga afati i vendosur për të përmbyllur punën.