Ishte 27 vjeç kur punonte në një showroom mobilerie, por zhurma e pistoletës me ajër, shërbeu si indicie për ta ndryshuar profesionin e saj. Nertila Pazi, nënë e dy vajzave 8 dhe 3 vjeçe ka zgjedhur një profesion të pazakontë për gratë. Ajo punon si tapiciere në Durrës dhe njëherazi paraditen e shfrytëzon për të punuar në një resort, për të siguruar më shumë të ardhura.
Të jesh e dypunësuar dhe njëherazi të përballesh me paragjykime të shumta nuk është e lehtë. Për emisionin “Një nga ne”, në “Report Tv”, Nertila rrëfen sfidat e një gruaje që zgjodhi një zanat burrash.
“Kur i thoja rrethit tim shoqëror që unë bëj këtë punë, të gjithë më paragjykonin, pse zgjodhe këtë gjë, nuk është për ty. Kur dëgjoja zhurmën e pistoletës, më kënaqte dhe kisha dëshirë ta mësoja gjithmonë. Kam qenë një karakter i ftohtë, i anashkaloja paragjykimet dhe ecja duke dëgjuar mendjen time, kisha dhe mbështetjen familjare”, tregon Nertila.
Falë natyrës së saj këmbëngulëse, 29 vjeçarja nuk hoqi dorë, edhe pse lodhja, dëmtimet në punë dhe humbja e klientelës ishin të pashmangshme.
“Duke qenë se kjo punë është pak e vështirë, mund të dëmtohesh. Shumë herë, kur kam punuar në fillim kam pasur aksidente gjatë punës, në vend të copës kam kapur gishtat e mia. Kjo ndodh sepse e mbaj dorën afër thumbave dhe ushtroj forcë që copa të mos lëvizë. Vështirësi tjetër është pjesa e lodhjes sepse muskujt kërkojnë një forcë që nuk je mësuar dhe kjo gjë të pengon pak, por nuk jam dorëzuar asnjëherë. Ka pasur klientë që kanë marrë vesh që jam femër dhe kanë thënë që nuk do ta kryejmë porosinë”, shprehet Nertila.
Mes të tjerash tapicierja durrsake tregon hilet që përdoren në mobileri, si ta kuptojmë cilësinë e një krevati dhe trendet që duhen ndjekur në arredimin e shtëpisë. Si ka arritur të ndërtojë jetën që dëshiron në qytetin e Durrësit dhe historia e dashurisë që triumfoi pavarësisht rrethanave. Të gjitha këto mund t’i ndiqni në emisionin “Një nga ne”