Gjykata Kushtetuese mbetet institucioni me përvojën më interesante sa i përket përballjes me ndryshimet demokratike shqiptare. Një institucion deridiku i ri për historinë e Drejtësisë së vendit tonë, përballur me sfidat e rritjes por edhe një kriter përmes verdikteve për matjen e pavarësisë së institucioneve dhe pjekurisë tonë demokratike.
Pavarësisht atyre që thuhen, historia e një institucioni të tillë është fare e re në kontinent. Edhe pse ndikimi i SHBA-së në Evropë mbetet i hershëm, përvoja e saj nuk arriti të zbriste në përmasën e duhur në Kontinentin e Vjetër. E themeluar nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara, Gjykata e saj Supreme filloi të merrte formë me miratimin e Ligjit të Drejtësisë të vitit 1789 dhe ka gëzuar një histori të pasur prej vitit 1790, duke e bërë trashëgiminë e saj mbi 200-vjeçare. Pyetja që lidhet më shumë me rastin e Shqipërisë lidhet me faktin se: pse nuk e aplikuan dot si duhet rolin e saj në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore pas viteve ’90, kur ndryshoi sistemi?
Ligji nr. 7491 i datës 29.4.1991 për dispozitat kryesore kushtetuese na shërbeu për 7 vjet edhe si Mini-Kushtetutë. Ai sanksionoi parimet themelore që udhëhoqën ndryshimet demokratike. Ligji nr.7561 dt.29.4.1992 ndryshoi dispozitat kryesore kushtetuese, mes të tjerave edhe vetë ato që lidheshin me krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Prej vitit 1968, Shqipëria përballej me një absurd, pasi kishte suprimuar Ministrinë së Drejtësisë dhe shërbimin e avokatisë. Me kohë, PPSH, partia në pushtet do të futej edhe atje ku ishte më shumë se e tepërt. E sa për shembullin amerikan as edhe nuk mund të merrej me mënd. Si arsye kryesore renditeshin ndryshimet e thella në kulturën politike dhe kushtetuese në të dy anët e Oqeanit Atlantik
Krijimi i Gjykatës Kushtetuese përbën modelin tipik të konstitucionalizmit kontinental, pasi përmirësoi qasjen e problematikave që dilnin nga parlamenti, të vetë demokracisë dhe sundimit të ligjit. Nga na vjen ky model? Ai lidhet me emrin e juristit Kelsen. E megjithatë, ky rol për gjykatat është relativisht i ri. Para viteve 1950, rishikimi gjyqësor ishte praktikisht i panjohur askund në Evropë. Në një debat të famshëm ligjor të viteve 1930, teoricieni politik gjerman Carl Schmitt, një nga juristët më të njohur të Rajhut të Tretë, argumentoi se e vetmja mbrojtje e vërtetë për demokracinë ishte ajo që lidhej me Führer. Në versionin e demokracisë së Schmitt, nuk kishte vend për institucione liberale siç janë gjykatat kushtetuese. Hans Kelsen, një koleg i tij austriak, e kritikoi Schmitt, duke argumentuar se vetëm një Gjykatë Kushtetuese e pavarur mund të mbronte demokracinë nga dobësitë e saj. Për fat të keq, koncepti i Schmitt mbizotëroi në Evropën e kohës së luftës, teksa Austria dhe Çekosllovakia ishin të vetmet vende në Evropë që krijuan Gjykata Kushtetuese qysh para luftës. Pas Anschluss në 1938, gjykata austriake u mbyll dhe Kelsen, i cili kishte prejardhje hebreje u detyrua me ngut të emigronte.
“Thuajse çdo çështje politike e ngritur …që nuk është zgjidhur, – thotë Aleksis de Tokëvil – herët ose vonë do të jetë çështje gjyqësore”. Dhe, krijimi i Kushtetueses e ka çmimin e vet të lidhur me politikën, së pari pasi duhej të gjente vendin politikisht brenda strukturave gjyqësore të vendeve të tyre krijimit . “Pa u thelluar shumë në histori, ku në disa vende ka të paktën dy gjykata supreme paralele: një për çështje civile dhe penale dhe një për çështje administrative. Gjykatat Kushtetuese hynë në lojë si një partner tjetër, i ri. Nuk është për t’u habitur, së shpejti u bë e qartë se do të ishte shumë e vështirë të zhvillohej një model i përbashkët i pranuar i bashkëjetesës në nivelin më të lartë gjyqësor”, citohet Lech Agrlicki te “Constitutional courts versus supreme courts”.
Shqipëria e pati jo vetëm të vështirë me historinë e Kushtetueses së saj, por ky institucion ka qenë i detyruar të sillet jo pak herë në kundërshti për dëshirat e shumicës parlamentare dhe të Qeverisë. Kuvendi dhe ekzekutivi, e këtu futet dhe një nga levat e pushtetit të tretë, Gjykata e Lartë, janë konfrontuar disa herë me Gjykatën Kushtetuese, si përshembull ato të fillim-viteve 2000, kur u interpretuan procedurat e shkarkimit të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Paradoksalisht, shumica parlamentare e disa viteve më vonë i përdori si argument për të përligjur procedurën e shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm. Kulmi arriti në vitin 2010 kur Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e shpalli të pavlefshme juridikisht dhe e konsideroi si antikushtetuese projektmarrëveshjen e nënshkruar Shqipëri-Greqi për zonat detare, lidhur me Kushtetutën .
Dhe, vimë në ditët tona, kur shtatë anëtarët e sotëm të Gjykatës Kushtetuese kanë mundësinë që të tregojnë integritet por edhe të përballin për të ardhmen e këtij institucioni dhe të vetë demokracisë shqiptare me anë të verdiktit të tyre. Në funksionimin e tyre ata kanë lënë shumë për të dëshiruar, më së shumti profesionalisht. Për fatin e tyre, si asnjëherë tjetër, ky institucion ka mbështetjen më të madhe nga institucionet e huaja prestigjioze ashtu si edhe pritshmërinë më të madhe nga publiku.
Dhe Evropa është e vëmendshme në këto raste pasi paçka mëtimeve, BE nuk është plotësisht e pafuqishme kur bëhet fjalë për të mbrojtur shtetin e së drejtës në vendet e saj anëtare. Pavarësisht nga dështimi i tij për të parandaluar prirjen drejt autoritarizmit në Hungari, Bashkimi Evropian ka treguar diku tjetër se mund të mbrojë demokracinë dhe sundimin e ligjit në vendet anëtare. Gjatë krizës kushtetuese të Rumanisë 2012, për shembull, BE shpejt kërcënoi vendin me ndëshkime serioze, duke përfshirë bllokimin e pranimit në zonën Shengen. Rasti lidhej me Kryeministrin Victor Ponta që iu kërkua të tërhiqej nga sulmet e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese Rumune dhe nga fushata për të fajësuar rivalin e tij, Presidentin Traian Basescu. Por BE-ja, nuk mundi të ishte e tillë ndaj Hungarisë dhe Polonisë, që me shembujt e tyre po tregojnë se nuk përfillin. Shembulli rumun tregon gjithashtu se, në situata të caktuara politike, kushtetuese gjykatat mund të ndihmojnë për të kontrolluar aspiratat autoritare të liderëve të fuqishëm populiste. Në rastin e Shqipërisë ajo mund të vendosë kutet e munguara të lidhjes META-RAMA. Kuptohet se qeveria e Ponta ishte shumë më pak e fortë krahasuar me atë të Orbanit ose Szydło dhe BE kishte sanksione më të fuqishme në dispozicion për t’u marrë me Rumaninë, pasi e kushtëzonte me anëtarësimin, e negociimi është më shumë sesa ndëshkimet politike.
Disa shkencëtarë politikë argumentojnë se pavarësisht fuqisë së madhe të gjyqtarëve, mbetet në dorë të vendeve të respektojnë verdiktet e Gjykatave të tyre Kushtetuese. “Në të kundërt , pritjet për fuqinë e Gjykatave Kushtetuese në Evropë kanë qenë shumë më të larta, veçanërisht që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Në shumë vende të EQL-së, gjykatat kanë luajtur një rol të madh në ndërtimin e demokracisë kushtetuese dhe kanë shërbyer si simbole të shtetit të së drejtës. Megjithatë, vitet e fundit kanë ekspozuar brishtësinë institucionale të gjykatave kushtetuese kur ato janë në shënjestër të forcave joliberale. Pa presion të shpejtë dhe të qëndrueshëm nga BE, çmontimi i lirive të luftuara ashpër që lidhen me shtetin e së drejtës do të vazhdojë, dhe Evropa Qendrore dhe Lindore përsëri mund të rritet dhe të ngjajë me Rusinë më shumë se Perëndimi. Më gjerësisht, ne mund të detyrohemi të vëmë në pikëpyetje aftësinë e gjykatave për të mbrojtur demokracinë nga shumicat joliberale”, bashkëshkruajnë te “The Assault On Postcommunist Courts”, Bojan Bugarič and Tom Ginsburg. Rasti i Shqipërisë është mirëfilli një i tillë dhe për këtë nuk ia vlen të shfletosh aq shumë. Rasti i Kushtetueses sonë të porsakrijuar po tregohet si shumë zhgënjyes…fillimisht profesionalisht e pastaj moralisht.