Kryeministri Edi Rama

Opinion

Zhurma për 'superpushtetin' e Ramës: Mund të përgjohet kryeministri në një 'regjim putinist'?

6 Prill 2021, 19:28| Përditesimi: 6 Prill 2021, 19:35

  • Share

Ka një refren politik të propagandës së PD-së dhe LSI-së jo vetëm së fundmi, por që herët, madje që në fillim kur Edi Rama u bë kryeministër, i cili akuzohet se ka përqëndruar dhe kapur të gjitha pushtetet. Madje ka të tjerë që lëshojnë fabulën e një “regjimi putinist”.

Nëse i referohemi historisë politike që prej vitit 2013 në vend, ne kemi parë, nga shpërndarja që Prokuroria e Adriatik Llallës ka bërë për mediat dhe partitë e opozitës, se janë përgjuar zyrtarë shumë të lartë të Partisë Socialiste dhe të Qeverisë, duke nisur nga Edi Rama, ministra, kryebashkiakë, deputetë, apo edhe zyrtarë të rëndësishëm të shtetit.

Madje këto përgjime u administruan dhe u përdorën nga opozita dhe mediat pranë saj, si një material politik propogandistik i luftës politike. Kastetat e disqet u shpërndanë për mediat këtu e jashtë vendit.

Ndërkaq, një zyrtar i lartë i mazhorancës, siç është ministri i Brendshëm, u kërkua të arrestohet, u shpall i pandehur, u dërgua në gjykatë, dhe po vijon një betejë gjyqësore, edhe pse deri tani gjykata nuk ka vërtetuar akuzat e Prokurorisë.

Çfarë tregon e gjitha kjo: tregon se në Shqipëri ka pasur struktura pushteti që kanë luftuar njëra-tjetrën për arsye politike, në vend që të kemi pasur një përpjekje për të arritur tek ajo që quhet e vërteta.

Prokuroria e Përgjithshme arriti të largojë nga Parlamenti disa deputetë me procedura të bazuar në dekriminalizim që, gjithsesi sollën debat dhe qëndrime kundërshtuese, u larguan kryebashkiakë, ku pati gjithashtu qëndrime që ende deri më sot nuk janë vërtetuar nga një vendim i formës së prerë gjykate.

Ndërkaq, kryeprokurori ka arritur të vendosë në përgjim me urdhër të tij, zyrtarë mjaft të lartë të mazhorancës, urdhëra që madje i ka çuar edhe për konfirmim në gjykata të ndryshme dhe i ka marrë.

Pra, kemi pasur një situatë, ku Qeveria dhe mazhoranca kanë qenë nën hetimin e herë pas hershëm të organit të akuzës.

Para vitit 2013, kur në krye të Prokurorisë ishte Ina Rama, kemi pasur raste kur organi i akuzës ka tentuar që të niste hetime ndaj zyrtarëve të lartë apo atyre që kanë lidhje me Qeverinë.

E nisim me Damir Fazliçin, ndaj të cilit Prokuroria vendosi që ta marrë në pyetje, kur biznesmeni serbo-boshnjak mbërriti në Rinas.

Fazliç u mor në eskortë nga krerët e lartë të Policisë së Shtetit, që refuzonin që ta dorëzonin në Prokurori.

Kryeministri i atëhershëm, Sali Berisha, deklaroi hapur në Parlament se Damir Fazliçi ishte miku i tij personal dhe nuk do të lejohej që të pyetej nga Prokuroria. Kaq u desh.

Berisha tha: “Fazliç është miku im”! Dhe Prokuroria hoqi dorë si pasojë e shantazhit të qartë politik dhe përdorimit të pushtetit të kryeministrit ndaj gjyqësorit.

Të vijmë tek hetimi për “Rrugën e Kombit”. Ai hetim nuk ka nisur nga Prokuroria apo Ina Rama.

Ka qenë një vartës i Lulzim Bashës, inxhinieri i njohur Arben Meçe, i cili bëri një studim të plotë për abuzimet e ndërtimit të rrugës dhe shpenzimeve për të.

Ai material u dorëzua në Prokurori për të gjetur apo zbuluar të vërtetën.

Drejtori i Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Zamir Shtylla, vendosi nisjen e investigimit dhe më pas caktoi hapat e procedurave hetimore.

Por menjëherë Sali Berisha nisi të masakrojë publikisht Zamir Shtyllën, duke e akuzuar si një hetues me lidhje me komunizmin.

Aq i madh ishte presioni, sa Ina Rama, i kërkoi Shtyllës që të largohet. E me largimin e tij, hetimi për “Rrugën e Kombit” u fishk.

Prokuroria nga kërkesa për të marrë nën hetim Lulzim Bashën, mbylli dosjen sapo ky i fundit u zgjodh deputet në votimet e vitit 2009.

Më pas kemi rastin e hetimit për videon Meta-Prifti, kur Sali Berisha sulmoi ashpër Prokurorinë dhe darkoi në shtëpinë e Ilir Metës për të mbrojtur politikisht partnerin e tij qeverisës.

Më 21 janar 2011, Garda vrau katër qytetarë në bulevardin përpara Kryeministrisë dhe më pas Prokuroria nisi hetimet për ngjarjet.

Prokuroria kërkoi të marrë në pyetje zinxhirin komandues të Gardës së Republikës “në të nxehtë” për të zbuluar sa më shpejt dinamikën e operacionit për të arritur tek e vërteta.

Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm dhe ndaloi së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë(që s’kishte punë me Gardën) që të ndalonin marrjen në pyetje të oficerëve të lartë të kësaj trupe të shtetit.

Pak ditë më pas, kryeministri Sali Berisha e cilësoi Prokuroren e Përgjithshme “Lavire Bulevardi”, duke frikësuar e kërcënuar çdo prokuror që merrej me aspektet proceduriale të hetimit.

Dhe kjo ndodhi edhe kur FBI solli në Tiranë me kërkesën e kryeprokurores, ekspertizën balistike të armëve të gardës, ku me një saktësi 100% gjeti se plumbat ishin qitur nga arma e komandantit të Gardës së Republikës, Nderea Prendi dhe nga një prej krerëve operacionale, Agim Llupo.

Sërish kryeministri shantazhoi Prokurorinë hapur, prerë dhe fort.

Dhe sapo ju dha mundësia, e largoi Ina Ramën, edhe pse kishte një debat ligjor për mandatin e saj.

Ky aspekt nuk shkoi as në Kushtetuese, por e shkarkoi dhe emëroi me urgjencë Adriatik Llallën në vend të Ina Ramës.

Në të gjithë këtë kohë, të vetmit përgjime që kanë qarkulluar në publik kanë qenë ata të rastit “Pango” nga Fiks Fare, ku ministri i atëhershëm i Kulturës pati një sjellje të papërshtatshme dhe ofensive të ngacmimit seksual dhe një përgjim, ku një familjar i Ilir Rusmalit, fliste me një drejtor të administratës për çështje biznesi.

Asnjë ministër, asnjë qeveritar apo zyrtar i lartë nuk përjetoi një publikim përgjimi, edhe pse ka pasur.

Për rastin e katastrofës së Gërdecit, pati tabulate të Delijorgjit me Shkëlzen Berishën, Fatmir Mediun, Ilir Metën etj, por asnjëherë nuk pati përgjime.

Edhe pas 2013-s, Qeveria “putiniste” e Edi Ramës nuk publikoi asnjë përgjim ndaj Berishës, Metës apo rivalëve të tjerë.

E kundërta ndodhi. Madje u zbulua një përgjues në zyrën e ministrit të Brendshëm, i cili, u përfol që u vendos nga një zv.ministër i LSI-së.

Çdokush mund ta bëjë diferencën vetë se kush është pushteti i kapur dhe kush është “regjimi putinist”.

Mundet që një “Putin” të lejojë vetë të përgjohet së bashku me ministra dhe anëtarë kryesie dhe të mos përgjojë kundërshtarë?!

Ku është sot Zamir Shtylla, drejtori i hetimit që hapi dosjen për “Rrugën e Kombit”?

Sipas të gjitha gjasave, i degdisur diku jashtë së bashku me shefin e shtabit të ushtrisë, i cili vetëm se bisedoi me ambasadorin amerikan për Gërdecin mori azil politik në SHBA…

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?