Arben Ahmetaj, ministër i Financave

Zhvillimi ekonomik/ FMN ul parashikimin për 2019-ën: Shqipëria 3.7%, Ahmetaj kundër: 4.3%!

28 Tetor 2018, 07:27| Përditesimi: 28 Tetor 2018, 07:31

  • Share

Nga ana e Këshillit të Ministrave të Projektbuxhetit të shtetit për vitin 2019, kreu i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi se për vitin e ardhshëm është planifikuar një rritje e Prodhimit të Brendshëm Bruto në masën 4.3 për qind ndaj 2018-ës. “Thënë ndryshe, vendi ynë, Shqipëria, planifikon të ketë një rritje - edhe duke iu referuar raporteve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të Bankës Botërore, apo parashikimeve të institucioneve të tjera - ndër më të lartat në rajon”.

Është e vërtetë që kohët e fundit raportet e institucioneve më prestigjioze ndërkombëtare kanë qenë pozitive lidhur me ecurinë e ekonomisë shqiptare. Sipas tyre, vetëm Kosova aktualisht është në vend të parë të klasifikimit të rajonit të Evropës Jugperëndimore sa i përket rritjes së PBB-së. Por referimi që i bëhet vlerësimit nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar sjell vetëm një pjesë të këtij të fundit. Pra, që zhvillimi i vendit tonë ka bërë që të hyjmë në “top listën” ballkanase. Ndërkohë, prognoza e qeverisë shqiptare për vitin e arhdhshëm nuk përputhet aspak me atë që ka bërë FMN. Madje, ka një diferencë të theksuar.

Në raportin më të fundit të “Pasqyrës Ekonomike Globabe”, që përgatitet dy herë në vit nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar – në prill dhe në tetor – pra, në atë të publikuar këtë muaj, ditët e fundit, FMN deklaron se për vitin e ardhshëm ekonomia e Shqiëpërisë parashikohet të mbajë ritme të mira rritjeje, por ajo duhet të jetë më e ulët se këtë vit. Ndërkohë që për vitin në vazhdim Fondi paraqet shifrën e përafërt prej 4 për qindësh, duke qenë plotësisht në një linjë me qeverinë shqiptare, për 2019-ën prognoza është 3.7 për qind. Madje, kjo është një shifër e korrigjuar në ulje ndaj Pasqyrës së muajit prill, kur është parashikuar një rritje e PBB-së shqiptare në masën 3.8 për qind. Edhe kjo, gjithsesi, shumë më poshtë se parashikimi tejet optimist i shprehur nga ministri Ahmetaj.

Nuk mund të mendohet që ekspertët e Fondit Monetar të mos kenë marrë parasysh zhvillimet e fundit pozitive në ekonominë shqiptare, si psh fluksin e rritur i turistëve, apo rikthimin e vëmendjes në infrastrukturë, me fonde shtetërore apo edhe me paratë e koncesionarëve. Po kështu, projektet e njohura madhore, të cilat kanë vite që po realizohen dhe njihet mirë grafiku i hapave të tyre të mëtejshëm në vitin e ardhshëm. Por, ndonëse shumëkujt mund t’i duket paksa i habtshëm ritmi më i ulët i zhvillimit, kjo ka të bëjë pikërisht me faktin që projektet e reja (rrugë me koncesion, mirëmbajtje, aeroporte, etj) vështirë të zëvendësojnë dhe të tejkalojnë zhvillimin që kanë sjellë projekte si TAP apo HEC-et mbi Devoll. Të cilat janë drejt përfundimit.

Por, më tepër, duket i habitshëm optimizmi - dukshëm paraelektoral – për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, që ka një diferencë shumë të theksuar, prej 0.6 përqindësh me prognozën e ekspertëve të Uashingtonit. Jo se FMN është i pagabueshëm, por përllogaritjet ndryshojnë shumë.

Në fakt, edhe agjencitë kryesore të vlerësimeve botërore, gjatë analizave të bëra kohët e fundit për Shqipërinë, duke pohuar një prognozë pozitive, nuk shkojnë më larg përsëritjes së renditjes në kategorinë B+, të cilën Shqipëria ka të paktën 8 vjet që e merr njësoj, por që, për ekspertët e fushës, flet se vendi ynë nuk është ndër ata vende, ku këshillohet me forcë investimi nga jashtë. Kjo, pasi ende nuk është përfunduar reforma në Drejtësi, situata politike ende shfaq paqendrueshmëri, ende integrimi drejt BE-së mbetet në “vend numëro”, korrupsioni dhe krimi janë në një nivel të lartë e shumë të tjera.

Prognozat është më mirë të bëhen të përmbajtura se sa të fryra. Në rast se ato nuk realizohen, qeveria do të ndodhet përballë joshjes së manipulimit të shifrave, që ka pasoja shumë më të rënda.

Tabelën e plotë me rritjen e PBB-së në vite mund ta lexoni në Shqiptarja.com, versioni print

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?