Plantacionet me fiq dhe ullinj në lagjen “Uznovë” në Berat janë përfshirë nga flakët ditën e sotme.
Fillimisht flakët janë shfaqur në një prej parcelave, por të favorizuara nga era ato u përhapën në të gjithë zonën që njihet si “blloku i fiqve”.
Flakët e zjarrit kanë përparuar me shpejtësi drejt tre kodrave mes fshatrave Duhanas e Mimias, ndërkohë që falë ndërhyrjes në kohë të forcave zjarrfikëse ai u shmang të përparonte drejt banesave të zonës.
Zjarrfikësit e kanë të pamundur ndërhyrjen me mjete drejt kodrës mbi “bllokun e fiqve”, për shkak të terrenit të thepisur dhe shuarja po kryhet me mjete rrethanore.
Burime në vendngjarje bëjnë me dije se zjarri mund të jetë vendosur nga vetë banorët për të djegur mbeturinat, por era e ka nxjerrë jashtë kontrollit.
Pas 2 orësh zjarri u vendos në kontroll dhe po shuhet çdo vatër aktive. Deri tani, parashikohet se është djegur një sipërfaqe rreth 40 ha me shkurre,ferra e barishte dhe 3 dynym me pemë frutore fiq dhe të kulturës së ullirit, por ende nuk ka një përllogaritje të saktë.