Një zjarr ka rënë në një vilë trekatëshe në Berat në mesnatë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen ish "Pjeshkorja" pranë Sigurimeve Shoqërore. Një i moshuar ka qenë brenda në banesë, por ka arritur që të shpëtojë.
Menjëherë shkoi në vendngjarje grupi i shërbimit dhe një mjet zjarrfikëse dhe konstatuan se kati i 3 i vilës ishte spërkatur me benzinë dhe kishte shpërthyer në flakë. Dyshohet se ka qenë vetë i moshuari ai që i ka spërkatur me benzinë banesën, prandaj është vënë edhe në hetim nga policia për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”..
Zjarri kishte marrë përmasa të mëdha për shkak dhe të konstruksionit të banesës prej dërrase. Burime nga grupi hetimor tregojnë dhe rrethanat e ngjarjes. Dyshohet se djali i tij ka marrë të ëmën për një vizitë mjekësore në Itali, por i moshuari pretendon se është e qëllimshme për ta lënë vetëm dhe në nerva e sipër i ka vënë flakën banesës.
Për shuarjen e zjarrit u ndërhy edhe me 2 mjete të tjera zjarrfikëse. Pas disa minutash u bë e mundur vënia nën kontroll dhe fikja plotësisht e zjarrit. Pronari i banesës, Dritan Qato nuk ndodhej në shtëpi. Në banesë ndodhej vetëm babai i pronarit, Shain Qato, i cili arriti të shpëtojë, ndërsa ka vetëm dëme materiale.