Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu ambientet e jashtme të një pallati 6-katësh në Shëngjin, por fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, pasi banesat përdoren vetëm gjatë sezonit të verës. Flaket u shfaqen rreth orës 10 të paradites së të dielës dhe për shkak të polesterolit që ndodhej aty u përhapen me shpejtësi, duke depërtuar brenda disa apartamenteve.
Zjarrfikësit të cilët mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa në lidhje me rastin nisen menjëherë hetimet. Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një kabull elektrik, pasi në këtë pallat po punohej në ngritjen e disa kateve të tjera. Ndërkohë dëmet e shkaktuara nga zjarri janë të konsiderueshme në ambientet e jashtë dhe brenda apartamenteve.