Kryeministri Rama ka artikuluar një afat prej gati tre muajsh për të vendosur trupën e policisë së shtetit në hullitë e duhura. Kaq i mjafton sipas perceptimit të tij, që gjërat të ndryshojnë. Megjithëse kjo mënyrë komunikimi s’është normale në një shtet demokratik, pasi janë eprorët direkt që duhet të flasin. Z.Rama është i bindur se ndryshimin e ideon, kryen dhe realizon vetëm ai: “Unë dua t’ju them se keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal nga i pari tek i fundit. 100 ditë. Asnjë ditë më shumë! “. Kategorik. Por, që qytetarët të marrin frymë shumë të lehtësuar duke e parë policinë e Shtetit në një nivel tjetër, duke vazhduar me retorikën e tij, ata duhet të ndryshojnë dhe të nxjerrin jashtë të ashtuquajturit, që luajnë “në dy porta”. Të emëruarit gjatë mandatit të tij…
Ka plotësisht të drejtë për shqetësimin, por si ka mundësi që me të gjithë këto struktura të ngritura në mbarë vendin, duhen aksione për ndërtimet pa leje të ndërtuara po në kohën e drejtimit të tij? Si ka mundësi që krimi dhe droga janë në këto nivele dhe nuk njohin dobësi, po në kohën e tij? Pyetje dhe kërkesa pa fund, që ndiqen me kujdes nga ministri i Brendshëm, Çuçi, por që tregojnë realisht se flitet për dy Shqipëri, atë që kemi përpara syve dhe që na e përplasin me cinizmin e tyre burokratët që flasin një shqipe të frikshme dhe një tjetër syresh, atë që shpallin zyrtarët. Këta të fundit me retorikën e Ramës. Akoma nuk kuptohet pse aksione të tilla si ai për ndërtimet pa leje dhe pushtimin e vendeve turistike, që sollën dhe viktima apo ajo që bëjnë policit në bashkëpunim me kriminelët në këtë vend…ndodhin rëndom dhe policia është inekzistente. Nuk ka vend krimi ku të mos dalë pastaj në media policia indirekt dhe korrupsioni i frikshëm i tyre apo më keq akoma të na përshfaqet pasurimi i tyre i pashoq. Dhe, megjithë atë që përmend z.Rama për reformimin e tyre dhe që është e dukshme për hir të së vërtetës me një brez të ri që ka ardhur, nuk mund të mohohet se edhe ata janë në të njëjtën gjatësi vale në jo pak raste me paraardhësit. Shikoni sa keq sillen në patrulla shumë policë, qoftë dhe femra apo mendjemadhësinë e keqe pas uniformave moderne që kanë veshur; shikoni si mbillen dhe denoncohen sërish hapësirat e mbjella me drogë; shikoni si i tolerojnë të fortët që bëjnë parada me makinat e rënda mijëra Euroshe mu mes Bllokut, duke sakrifikuar gjyhnaqarët, këto janë pak nga shqetësimet.
Në shumë momente ne i kemi frikë sepse policia kapet pikërisht me të pambrojturit, me ata që nuk telefonojnë dot.
Të dhënat nga IKMT referojnë se në tre vitet e fundit janë shembur 2,016 objekte pa leje, pjesa më e madhe në zona urbane dhe ato bregdetare. Po a guxon dikush të ndërtojë në këto zona nëse nuk njeh policinë dhe bashkiakët? Kjo duhet të shqetësoj Ramën dhe pushtetin e tij kapilar, që administrojnë të gjithë pushtetin lokal.
Një shembull tjetër që kolegët e ABC evidentonin ishte se: prokuroria ka vërtetuar tashmë përfshirjen e tre oficerëve të lartë të policisë në eliminimet mafioze në Elbasan kundrejt shpërblimeve monetare që shkojnë deri në 100 milion lekë!!! E sa të tilla ka vallë?!
A bëhet rastësisht kjo?! E mbani mend sesa të urryer në protesta u kthyen forcat “Shqiponja” pas vrasjes së djalit të ri?! “Është e pajustifikueshme që rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët, sidomos nga ana e Forcave Shqiponja dhe patrulla e përgjithshme, të cilat shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre, të shënohen si raste të rritura”, u shpreh Rama.
Por pa na sjellë një model në praktikë, atë që në botë i kushtohen filma, momente nderimi dhe respektohet. Sepse ata policët dhe qytetarët e mirë që denoncojnë e punojnë, si në çdo profesion tjetër, janë kokulur. Modelet e mira kanë sfidën e mbijetesës, atë që sot e tallin në masë sot. Në ballë janë ata të pasurit, të kudo-dukshmit me ar ngjeshur, që Rama mëton më kot se do t’i fshijë për 100 ditë. Nëse nuk ke mbjellë etikë, nuk mund të korrësh dot sjellje normale të policisë së zakonshme, që shpesh e nëpërkëmbin kolegët e tyre, që kanë lidhje të shkurtër me njerëzit që po e nxijnë ngado vendin tonë. E sa për etikë, vetë kryeministri ka se çfarë të mësojë…madje edhe kokëulur.