TIRANË- Zv. Komandant i Policisë Ushtarake, nënkolonel Ajet Jata ka cilësuar si dy zonët më problematike për zbatimin e masave parandaluese për COVID-19 zonën e Alliasit dhe 'Mine Pezën'. Pikërisht janë këto dy lagje ku është regjistruar edhe numri më i lartë i qytetarëve të ndëshkuar.
"Nuk mund të jap përcaktim për kohëzgjatje, pasi së pari marrim urdhër dhe së dyti në varësi të situatës. Qytetarët nga kanë mirëkuptuar dhe i falenderojmë. Zona ku ndeshim shkelje është ajo e Alliasit dhe ’’Mine Peza’’. NE bëjmë ndalimin dhe ia kalojmë Policisë së Shtetit. Ata procedojnë. Tani jemi në limitet e para të përshkallëzimit të forcës. Kjo pasi kemi gjetur mirëkuptimin e qytetarëve. Ky armik është i paarmatosur, ndaj ne përdorim forma jokonvencionale për t'u përgjigjur. Ne jemi 24 orë në terren. Mesazhi im është ’’Mbroni veten, kolegët tuaj, familjen tuaj gjithashtu’’, tha Ajeti.
Në një lidhje Skype për Report TV nga kryqëzimi i Doganës, Tiranë , Jata tha se ushtria ka mjaftueshëm burime në njerëz, e ndërsa theksoi se prania e tyre në terren në këtë situatë lufte është një mbështetje për Policinë. "Ne kemi menaxhuar të gjitha burimet njerëzore në dispozicion. Dhe e kemi përballuar. Policia ushtarake është angazhuar në shumë prej qyteteve Durrës, Korçë, Elbasan, Kukës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër Burrel. Ka mjaftueshëm burime në njerëz. Ne thjesht jemi në mbështetje dhe nuk kemi tagër, për të vënë gjoba. Ato pak raste i kemi referuar në Policinë e Shtetit. Të gjithë ushtarakët që vijnë nga vendet e prekura, sipas urdhëresës i nënshtrohen një vetkarantinimi", tha Ajeti.