Dinamo dhe Butrinti do duhej të luanin sot në 14:00 ndeshjen e kthimit në Kupën e Shqipërisë. Blutë njoftojnë se ky takim nuk do të zhvillohet pasi klubi mik nga Saranda e ka të pamundur që të udhëtojë drejt Tiranës. Zyrtarisht thuhet për shkak të distancës së largët dhe dëmtimeve, ndërsa fakt është se skuadrat e Kategorisë së Dytë kanë probleme financiare. Kësisoj, Dinamo është skuadra e parë që kalon më tej në Kupën e Shqipërisë duke mos luajtur por fituar 3-0 në tavolinë. Kujtojmë se dy javë më parë Blutë e Nevil Dedes fituan 0-1 në transfertë me golin e Da Silva. Dinamo pret në turin e dytë fituesin e çiftit Kasrioti - Vora.
"Ndeshja FC Dinamo - KF Butrinti e vlefshme për turin e parë të Kupës së Shqipërisë, e parashikuar për t'u zhvilluar ditën e sotme nuk do të luhet! Klubi mik ka njoftuar skuadrën tonë dhe FSHF-në se për arsye distance dhe mungese lojtarësh, nuk mund të udhëtojnë në Tiranë. Dinamo fitoi ndeshjen e parë në Sarandë me rezultatin 0-1, me golin e shënuar nga Diogo Da Silva. Blutë kalojnë në raundin tjetër të kupës, ku përballë do të ketë fituesen e çiftit KS Kastrioti - FK Vora", njofton Dinamo.