1 maji, ditë proteste në Tiranë, arsimtarja në 'Përballje': Mësuesit janë të frustruar! Juristi: Duhet ndryshuar Kodi i Punës

1 Maj, 14:44| Përditesimi: 1 Maj, 14:58

  • Share

Këtë 1 maj, në ditën e punëtorëve, nuk munguan protestat e sindikatave të punonjësve edhe në Tiranë. Më e veçanta ishte ajo e Unionit të sindikatave e udhëhequr nga sindikatat e arsimtarëve dhe e minatorëve.

Në ‘Përballje’ në Report Tv u diskutua mbi problematikat që hasin punonjësit në vendin tonë dhe si mund të jetë zgjidhja për disa prej tyre.

Edison Hoxha, kreu i qendrës për të drejtat në punë tha për Rovena Nezirin, se punëmarrësit duhet të reagojnë për padrejtësitë që bëhen ndaj tyre apo ndaj kolegëve të tyre.

'Ky 1 maji është më aktivi në pikëpamjen e protestave sepse ka patur disa, më kryesorja ishte ajo e organizuar para kryeministrisë ku u bashkuan dhe një grup minatorësh. Një situatë që premton që në të ardhmen do jetë më e mirë për reagimin e punëtorëve. Mendoj se ka një vëmendje të shtuar të punëtorëve dhe të drejtave të tyre.

Tani të gjithë kategoritë ta shfrytëzojnë në interes të tyre, minimalisht të reagojnë dhe pse jo të solidarizohen me kolegët dhe të fuqizohen në organizim. Punojmë çdo ditë që të gjithë kategoritë të reagojnë. Nëse reagojmë për një padrejtësi në çfarëdo lloj profesioni do arrijmë shumë gjëra dhe do respektojmë të drejtat e punëtorëve' tha Hoxha.

Një prej protestuesve të ditës së sotme, Tereza Marku, arsimtare e ftuar në studio theksoi se me arsimin ka 30 vite që eksperimentohet në vendin tonë dhe sipas saj mësuesit ndjehen të frustruar.

'Ne kemi jo vetëm të drejtat por ta shfrytëzojmë përmes sindikatave dhe të kërkojmë të drejtat tona. Në arsimin shqiptar ka nevojë për ndryshim cilësor. E besoj fort këtë sepse besoj fort se ashtu siç është arsimi do jetë nesër shoqëria shqiptare. Bashkohen jo vetëm arsimtarët, por edhe prindërit, nxënësit.

Kishim një slogan: Nuk ka arsim cilësor, pa patur mësues të mirëpaguar. Kemi 30 vite që eksperimentohet me arsimin. Diku kemi thënë do kalojë situata, jam e sigurtë që një pjesë ka edhe frikë të dali të protestojë. Mësuesit ndjehen të frustruar, janë të keqpaguar. Nuk është se nuk i kemi ditur. Por marrin një pikë vlimi', u shpreh mësuesja.

Juristi Gentjan Serjanaj shtoi se ka një boshllëk në tregun e punës edhe si pasojë se punëmarrësit nuk i trajtojnë siç duhet punonjësit e tyre.

'Më vjen mirë që sot parti reagim më shumë se vitin e kaluar dhe mendoj se vitin tjetër do ketë më shumë reagim dhe 1 maji do të jetë një ditë poër të reaguar. Ne shohim se kemi mungesë të kapacitetit njerëzor në tregun e punës. Kemi një numër të lartë që trajtohen me programet e mbrojtjes sociale. Qeveria nuk ka gjetur tranzitin nga programet e mbrojtjes tek paketa e punës.

Duhet të ketë qeveria në vëmendje respektimin e të drejtave të punonjësve. Shohim që shumë punëtorë nuk trajtohen ashtu siç duhet. Si pasojë e kushteve të këqija nuk pranojnë të punësohen dhe ka boshllëk në treg. Ka një nevojë këtë vit për punonjës sezonalë në turizëm', theksoi juristi.

Hoxha thekson se punëmarrësit nuk denoncojnë tek Inspektoriati i Punës dëmet që mund t’iu shkaktojnë punëdhënësit edhe si pasojë e frikës.

'Viti 2023, denoncimet janë ende të ulët. Kemi 10 mijë kontrolle, vetëm 700 prej denoncimeve prej personave që mund të jenë dëmtuar. Problem frika që kanë punonjësit të kundërshtojnë punëdhënësin. Mund të ketë hakmarrje nga punëdhënësi. Ndodh sidomos në sektorin privat. Denoncimet ndodhin kur punëmarrësi largohet nga puna.

Inspektoriati i punës, sa e bën punën është çështje e gjatë, problematika lidhet me të që të garantojë standartet epunës. Por problematika lidhet me mosreagimin e punonjësve. Kemi raste në privat, kur paguhet paga minimale, e tërheqin punonjësit nga bankomati dhe ia kthejnë punëmarrësit. Duhet reagim. Ka shumë hapësira për të reaguar për padrejtësitë që bëhen në vendin e punës', nënvizoi Hoxha.

Ndërsa Serjanaj vlerëson se ka ardhur koha të ndryshohet Kodi i Punës në legjislacion pasi është shumë i vjetër.

'Roli i inspektoriatit të jetë më proaktiv. Duhet të jetë rol, e nevojshme ribërja e kodit të punës. Është shumë i vjetër. Duhet një kod i ri, me disa elementë që janë të kohës së fundit. Duhet rishikim i legjislacionit të sektorit të punësimit. Kur të shohim që rastet përsëriten të falimentit të fasonerive, duhet të jetë në vëmendje të ligjvënësit. Nuk mund të presim gjithë kohën që punonjësi të reagoj', shtoi Serjanaj.

Hoxha thotë më tej, se aksidentet në vendin e punës ndodhin më shumë në sektorin e ndërtimit, minierës apo dhe në industritë përpunuese.

'E di vështirësinë që punonjësit kanë për të reaguar. Pastaj ti bëjmë presion institucioneve për të bërë punën. Legjislacioni është në diskutim, përgjithësisht kemi legjislacion të mirë. Nëse përqëndrohemi tek zbatimi i legjislacionit, më shumë se tek ndryshimet ligjore kemi bërë punë të mirë. Ka dhe aspekte që kodi i punës nuk i parashikon.

Kemi legjislacion të standarteve të mira. E kanë thënë dhe raporte të BE-së dhe të tjera. Ndërtimi një nga sektorët më problematikë. Pastaj janë minierat. Janë dhe këto industria përpunuese, prodhimtaria. Në total në 2023, bie dakord lidhet me aksidentet e larta në vendin punës. 30 punonjës humbën jetën në 2023 në vendin e punës. Kemi mundësi ta zerojmë', përfundoi Hoxha.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?