Sociale

1 Maji/ Festë dhe protestë modeste në Tiranë! Qytetarët i bashkohen takimit të Lapajt: S’e dinim se ishte miting

1 Maj, 12:07| Përditesimi: 1 Maj, 16:54

  • Share

Edhe pse thirrjet ishin të shumta nga sindikatat dhe mesazhet të qarta për 1 majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, pjesëmarrja e protestuesve te sheshi "Nënë Tereza" ishte kjo.

Nga mbi 1.3 milionë punëtorë në vend, vetëm disa dhjetëra dolën me pankarta në duar. Të paktë në numër, por të zëshëm në kërkesa, të rinjtë shpresojnë për një të ardhme më të sigurt.

“Ne jemi mbledhur për të bërë një marshim për të drejtat e punëtorëve dhe për kërkesat që gjithë ne mund të kemi: rreth pagesave për punën që kryejmë. Personalisht jam student i Mjekësisë dhe kemi ardhur për t’u sensibilizuar edhe për kolegët tanë por edhe për të ardhmen tonë, pasi ne synojmë të punojmë si mjekë në Shqipëri. Për pagesat, pasi e mendojmë se janë të pamjaftueshme, dhe për kushtet e punës që kanë mangësi të shumta për sa i përket aparaturave, për sa i përket sigurisë në punë,”

“Është pak e vështirë të gjesh një punë, sidomos për një të ri që sapo ka përfunduar fakultetin. Për këtë arsye nuk mendoj se mund të kem një mundësi, dhe as nëse ia vlen për të qëndruar.”

Ata na tregojnë për vështirësitë që kanë kaluar në vendet e tyre të punës.

“Kam punuar disa vite më parë, si kamerier, dhe si punët në Shqipëri të cilat bëhen në të zezë, pa sigurime dhe me pagesa që për perceptimin tonë janë të pamjaftueshme me punën edhe lodhjen me të cilën kryhen.”

Siguria në punë, një e drejtë themelore, në realitet mbetet ende një nga plagët më të mëdha për punëtorët shqiptarë.

“Unë sot kam dalë të protestoj. Është një ditë e shënuar për punëtorët. Ata kanë qenë të diskriminuar në çdo lloj sistemi. Aktualisht jam invalid nga puna e rëndomtë që nuk e kam marrë shpërblimin asnjëherë. Unë mangësi kisha kur punoja në ndërtim. Nuk kisha asnjë vlerësim, as në pagë, as në sigurime, dhe kur erdhi momenti që mua më duheshin, unë nuk i kisha.”

Me përfundim e protestës, pjesëmarrësit shkuan në një tubim të zhvilluar nga nisma ‘Shqipëria bëhet’, ku kishin marrë garanci se do të diskutohej për problemet e punëtorëve, por pa e ditur se do të ishte miting elektoral.

“Unë erdha për protestë këtu. Unë nuk erdha për këto. Për ne është apo është për të na manipuluar për pjesën e votave?”

Edhe këtë vit në Tiranë dominuan qytetarët që 1 majin e shohin si festë dhe jo si një ditë për të kërkuar të drejtat. Qindra prej tyre u dyndën drejt Liqenit Artificial për të shijuar ditën e pushimit me familjarët.

“Sot është data 1 maj, dita e punëtorëve. Punëtorët janë në grevë, ne jemi në festë. Jo vetëm të rinjtë por të tërë ne protestë.”

“Është shumë e rëndësishme për klasën punëtore, pavarësisht se këtu nuk dalin në protestë, është bërë si një ditë feste.”

1 maji është dita ndërkombëtare e punëtorëve, simboli global i betejës së punëtorëve për dinjitet, liri dhe kushte të mira pune.

Xh.K/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?