Me qëllimin për ta afruar e për ta bërë konkurrues biznesin e vogël e të mesëm, fillimisht në rajon e më pas drejt tregut evropian, bizneset në Shqipëri do të kenë mundësi të përfitojnë rreth 1 mld euro nga Bashkimi Evropian përmes “Programit të tregut të përbashkët, për periudhën 2021-2027”.
Marrëveshja e firmosur mes qeverisë shqiptare dhe Brukselit është miratuar në komisionin e Ekonomisë dhe pritet të kalojë për miratim edhe në seancë plenare.
Bizneset do të mund të përfitojnë përmes aplikimeve të cilat do të shqyrtohen nga Komisioni Evropian, ndërsa zv/ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Endrit Yzeiraj sqaroi se prioritet do të kenë kryesisht investimet në biznese të gjelbërta, inovatore dhe dixhitale.
'Përfitimet për bizneset janë të ndryshime, ndërveprime, lidhje me biznese të tjera të ngjashme në BE për tu bërë pjesë e rrjeteve europiane, për rritjen e kapaciteteve eksportuese.
Ka disa prioritete, investime në fusha të gjelbërta, të qëndrueshme, inovatore dhe dixhitale. Ofron përfitime të ndjeshme.', thotë Yzeiraj.
Ndërsa deputetja demokrate kërkoi që për bizneset të ketë asistencë teknike dhe këshillim në mënyrë që të përfitojnë maksimalisht nga ky fond si dhe të punohet që Shqipërisë t’i kthehet sërish tarifa e aplikimit prej 487 mijë eurosh që paguan për tu bërë pjesë e këtij programi.
Tabaku: Të ketë asistencë teknike sepse aplikimi është vështirë, dhe të kthehet tarifa e aplikimit
Yzeiraj: Ka një nismë, ndërinstitucionale për të ofruar asistencë për bizneset shqiptare që duan të aplikojnë për tu bërë pjesë e këtij programi. Vlerësimi I aplikimit do të bëhet nga KE dhe nuk ka shanc abuzimi.
Shqipëria po paguan një tarife prej 487 mijë euro për projektin. Që do jemi në gjendje ta kthejmë mbrapsht këtë tarife por edhe ta shumëfishojmë
Program i tregut të përbashkët parashikon një fond prej 4.2 miliardë eurosh, ndërsa Shqipëria do të aplikojë në vetëm një prej aspekteve mbështetëse, atë të asistencës për ndërmarrjet e vogla e të mesme, prej së cilës do të përfitojë 1 miliardë euro, që do t’i ndihmojë bizneset për t’u afruar më shumë me tregun evropian.