1 mld lekë investim, Galeria në restaurim pa drejtor e bord, jashtë saj zero aktivitete! Ministria hesht në 10 muaj, Isufi: Jo titullar teknik

3 Gusht 2022, 19:17| Përditesimi: 3 Gusht 2022, 19:25

  • Share

Ambientet e Galerisë Kombëtare prej 10 muajsh janë të mbyllura. Brenda, sipas Ministrisë së Kulturës, po rikonstruktohet, e nëse i përmbahen afateve, në tetor të 2023-shit do të kenë përfunduar. Krahas projektit 1 miliardë lekë të besuar Studio Atelier4, që llogarit edhe zgjerimin në pjesën e pasme, u premtua se paralelisht do të restaurohej dhe digjitalizohej fondi artistik i arkivave. Prej këtij njoftimi, transparenca rreth vijueshmërisë së proceseve nuk është parë e nevojshme.

“Është më se i dukshëm problemi se nuk po informohet publiku, nga institucionet përkatëse, përsa i përket etapave, ecurisë së punimeve për një nga institucionet më të rëndësishme të artit pamor dhe të kulturës shqiptare”, thotë artisti bashkëkohor Ardian Isufi.

Në mungesë të një drejtori të emëruar, ka një titullare të komanduar, Herida Duron.

“Vazhdojmë të jemi në ç’organizimin e organizuar, dhe në këtë rast ne nuk duhet të kishim një titullar teknik, por një titullar që të ketë një vizion mbi kulturën”, shton Isufi.

Për restaurimet, siç është pohuar nga Ministria, mbikëqyrja ka qenë direkte nga vetë ky institucion, ndërsa, thirrja për kandidat të ri në krye të Galerisë, do të bëhej pas sistemimit të stafit. Aktualisht, riorganizimi po bëhet edhe në mungesë të një bordi, që po ashtu, pritet të zgjidhet në vijim, pa pasur afate konkrete.

“Ky bord në fakt duhet të bënte politikat e Galerisë Kombëtare të orientuara nga titullari, çka mungon”, shton më tej.

Ndryshe nga sa u premtua, për vijueshmëri në të tjera ambiente ekspozuese, gjatë kësaj kohe aktiviteti i Galerisë ka ndaluar... Qoftë institucioni, ashtu edhe ministria eprore, janë mjaftuar me postimin në rrjete sociale të disa prej veprave të Fondit dhe jo vetëm. Ndërsa salla e Muzeut Historik, është përdorur si magazinë me dyer të kyçura për disa nga veprat. Sende e arkiv janë sistemuar në Albafilm.

“Nuk mundet të justifikohet sot Galeria Kombëtare me çështjen e rikonstruksionit, kur padyshim ajo ka disa çështje të rëndësishme, të arkivit, dokumentimit të veprave, aktiviteteve që janë një domosdoshmëri përsa i përket sfidave të artit dhe kulturës në përgjithësi. Dhe të gjitha këto do të duhet të ishin shumë të qarta qoftë në websitet e Galerisë Kombëtare, qoftë në websitet e Ministrisë së Kulturës, ku fatkeqësisht lajmërimet për aktivitetet janë që të vitit 2020 a 2021”, shprehet artisti.

Aktivitetet e së ardhmes e lënë faqen e Galerisë  të bardhë, ndërkohë i vetmi opsion për të ruajtur lidhjet e publikut me artin e saj, mbetet shfletimi i fotove të postuara në rrjetet sociale të institucionit e Ministrisë së Kulturës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?