Për të vijuar studimet në universitet një 20-vjeçareje iu desh të fillonte punë me kohë të pjesshme në një Call Center. Por kjo nuk zgjai shumë. E reja u detyrua të lërë punën për shkak të ngacmimeve seksuale të përsëritura nga shefi.
“E gjeta punën duke dërguar CV, në Call Center. Ishte një ngacmim i hapur, pasi personi në fjalë gjithmonë kur më merrte në pyetje, qeshte ose bënte pyetje jashtë kontekstit të punës. Se të shikojnë një femër të bukur, një femër të mirë dhe mundohen ta konfirmojnë këtë gjë.”- tha ajo.
Sipas një studimi të Qendrës për të Drejtat në Punë, 1 në 4 persona nga 1500 të pyetur, të punësuar në administratën publike, në arsim, në shëndetësi, në hoteleri-turizëm, në fasoneri dhe në call-center perceptojnë se ngacmimi në ekziston vendin e punës është shumë i përhapur në Shqipëri.
Studimi i kryer gjatë vitit 2021 nxjerr në pah se 84% e të anketuarve perceptojnë se ka më shumë raste të dhunës dhe ngacmimit sesa ato që raportohen.
Gertjana Hasalla menaxhere programi në qendrën për të drejtat në punë tregon gjetjet e tjera të këtij studimi dhe tregon sesa i rëndësishëm është forcimi i mekanizmave që monitorojnë e parandalojnë ngacmimet në punë.
“Dhe kur flasim për dhunë dhe nuk është vetëm ajo fizike apo dhuna seksuale që padyshim ndodh, por flasim gjithashtu dhe për dhunën verbale që ndodh në vendin e punës. Në sektorin e arsimit 62% e të anketuarve janë shprehur se kanë përjetuar një formë të dhunës ose ngacmimit verbal nga persona që janë në autoritet. Edhe kjo është një përqindje shqetësuese. Çdokush mund të shkoj nëse ka ndonjë pretendim për ngacmim ose dhunë në vendin e punës te Inspektoriati i punës dhe të trajtojë atje çështjen e tij.”- tha Hasalla.
Pothuajse gjysma e të pyeturve, rreth 48%e tyre,raportojnë se forma më e shpeshtë e dhunës ose ngacmimit seksual haset në raportet e varësisë – epror/vartës apo punëdhënës/punëmarrës.