Me këngë e kërcime e kanë festuar fëmijët 1 Qershorin sot në parkun “Rinia” në Tiranë. Të shoqëruar nga prindër dhe të afërm ata janë argëtuar ndërsa kanë sjellë një atmosferë të këndshme për të gjithë të pranishmit.
Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në të gjithë botën, por kjo ditë nuk është vetëm për të festuar, por shërben edhe për të sensibilizuar, për të njohur të drejtat e e të vegjelve dhe për t’i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Për "Report TV", ata shprehen të lumtur që po festojnë, ndërkohë që flasin edhe për të drejtat e tyre.
Me rastin e 1 Qershorit, një aktivitet për fëmijët është organizuar edhe nga Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës.
“Me rastin e 1 Qershorit ne kemi dalë si koalicion të gjithë, për të gëzuar jetën, për të gëzuar fëmijë tanë, për të gëzuar këtë ditë feste për gjithë fëmijët. Ne jemi pro jetës, pro fëmijëve tanë dhe jemi për një familje të shëndoshë”, - thotë Roald Hysa, përfaqësues i KSHPFJ-së.
“Sot për festën e 1 Qershorit po organizojmë një aktivitet të vockël me tullumbace për fëmijët, ‘face-painting’, që ta bëjmë më të bukur këtë ditë për fëmijët e Shqipërisë. Ajo që synojmë është t’ua bëjmë jetën më të bukur fëmijëve, se filizi i jetës janë fëmijët.”, - thotë Siara Kafexhiu, përfaqësuese e KSHPFJ-së.
Mesazhe urime për fëmijët në ditën e tyre kanë përcjellë edhe krerë të ndryshëm të politikës në vend, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama.
Dita e fëmijëve është vendosur në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në 1925. Në të njëjtën ditë, konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.
Dy vite më pas, 1 Qershori filloi të kremtohej në të gjithë botën.
Komente
