28 operacione dhe megaoperacione policore janë zhvilluar nga e Policia e Shtetit, për goditjen e pa ligjshmërive gjatë një jave, të cilat kanë çuar në sekuestrimin e rreth 1 ton kanabis, 13 armëve zjarri, 815 gramëve kokainë, 110 gramëve heroinë dhe 250 bimë narkotike. Ndërsa në pranga kanë rënë 115 persona, për vepra të ndryshme penale. Janë gjetur dhe arrestuar 18 persona në kërkim, nga të cilët 15 në kërkim kombëtar dhe 3 në kërkim ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale.
Megaoperacioni ndërkombëtar “FRIDA-REFOX”, nën koordinimin e EuroJust, u zhvillua nga skuadrat e përbashkëta hetimore, të përbëra nga Policia e Shtetit, SPAK, Policia dhe autoritetet gjyqësore spanjolle, për goditjen e veprimtarive kriminale në subjektet “call center”.
Në Berat, megaoperacioni policor antidrogë “STUHIA” u finalizua me sekuestrimin e rreth 870 kilogramëve lëndë narkotike kanabis dhe 3 armëve të zjarrit, si dhe me vënien në pranga të 11 shtetasve, si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale.
Në Tiranë, Megaoperacioni policor antidrogë “TENTAKULAT” çoi në sekuestrimin e 745 gramëve kokainë, 110 gramëve heroinë, 1.3 kilogramëve kanabis, 5 peshoreve elektronike, si dhe shumave të parave. Për shpërndarje të drogave në doza, në lokale nate dhe në afërsi të shkollave, u vunë në pranga 15 shtetas.
Ndërsa në Krujë, pperacionet policore “Derveni” dhe “Vijimi”, çuan në zbulimin e 6 ambienteve të përshtatura për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, ku si rezultat u vu në pranga 1 person dhe u gjetën 250 bimë narkotike e fidanë narkotikë në vazo.
Në qytetin e Shkodrës, operacioni policor “Vespa” goditi një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e drogave të ndryshme, ku u vunë në pranga 4 persona dhe u sekuestruan sasi kanabisi, sasi kokaine, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe 2 elektroshokë.
Operacioni “Presentation”, në Elbasan, u finalizua me sekuestrimin e 33.5 kilogramëve lëndë narkotike kanabis e municioni luftarak, si dhe me vënien në pranga të 2 vëllezërve që e mbanin lëndën narkotike në banesë dhe në automjet.
Gjatë operacionit policor antidrogë “Restart 12”, në Kapshticë, u vu në pranga një 64-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke transportuar 9.2 kg kanabis që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Operacioni policor “Krane”, në Sarandë, u finalizua me sekuestrimin e 2.7 kilogramëve kanabis dhe me vënien në pranga të 2 personave që tentuan ta trafikonin lëndën narkotike, drejt Korfuzit.
U arrestuan po ashtu 2 persona që vodhën duke kërcënuar me armë zjarri, në banesë, një 40-vjeçari, në fshatin Brret, Krujë. U sekuestruan arma e krimit, municion luftarak dhe sendet e vjedhura. Në Pikën Kufitare të Portit Durrësit dhe në Shkodër janë goditur 2 raste të kontrabandës së sasive të konsiderueshme të medikamenteve mjekësore.
Në Korçë është goditur një rast i kontrabandës së naftës dhe në Tiranë është goditur një rast i kontrabandës së parateve celulare.
-Janë sekuestruar 965 kuti me medikamente mjekësore, 26 aparate celulare dhe sasi nafte, të kontrabanduara. Janë vënë në pranga 2 persona dhe janë në hetim, 7 të tjerë.
Në Tiranë dhe Kurbin, operacionet policore “Poker” dhe “Game Over 2”,çuan në arrestimin e 18 personave që organizonin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, 3 prej tyre organizatorë. U sekuestruan 2 tavolina pokeri, 11 makineta, çipsa, shuma parash e sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie.
Si rezultat i operacionit “Ngujimi”, të zhvilluar në Tiranë, u arrestua një 52-vjeçar që mbante të ngujuar, në banesë, dhe dhunonte bashkëshorten e fëmijët e tyre të mitur.
U parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri mes 2 personave (kushërinj). Në kuadër të operacionit “Dorëz”, në Tiranë, u vu në pranga personi që kanosi me armë zjarri dhe u sekuestrua arma.
Policia e Fierit zbardhi dhe dokumentoi me prova ligjore, një aksident rrugor me pasojë vdekjen. U zbulua dhe u arrestua autori. Në kuadër të operacioneve “Perimetri 199” dhe “Road Guard 49”, në Korçë dhe në Gjirokastër, u arrestuan 2 persona, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Janë goditur 11 raste të vjedhjes së pronës ose pasurisë dhe janë vënë në pranga 7 persona.
Në vijim të angazhimit nga strukturat e Policisë, në bashkëpunim me agjencitë e tjera shtetërore, janë goditur 16 raste të krimeve mjedisore, 4 raste të vjedhjes së energjisë elektrike dhe janë trajtuar ligjërisht 35 raste të dhunës në familje.
Nga shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë kësaj jave janë pezulluar në total 621 leje drejtimi, nga të cilat: 530 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, 49 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 42 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
•Përmes përdorimit të alkool-testuesve janë arrestuar 38 drejtues mjetesh, nga këta: 22 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 16 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
•Janë arrestuar nga Policia Rrugore e Tiranës, 9 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore dhe 2 raste të drejtimit të automjetit, nën efektin e lëndëve narkotike.
-Policia Kufitare me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
•Janë goditur 8 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit dhe të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.
•Gjithashtu, janë goditur: 1 rast i “Trafikimi i narkotikëve”, 1 rast i “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, si rezultat i të cilit u sekuestruan 25 000 euro të padeklaruara, 1 rast i “Kontrabandës me mallra të licencuara” dhe 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”.
U dokumentua veprimtaria kriminale dhe u arrestuan autorët e trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet Pikës Kufitare të Rinasit, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet policore turke. U shoqërua një person që përbënte rrezik për jetën e pjesëmarrësve në tubim dhe të punonjësve të Policisë gjatë protestës të datës 12.11.2022, I shoqëruari qarkullonte me mjet prerës (thikë), në mes të pjesëmarrësve në tubim.