TIRANË- 365 ditë më parë, Partia Socialiste u votëbesua me një mandat të tretë, me një fushatë të përqendruar kryesisht tek arsyet se përse nuk duhej votuar Partia Demokratike dhe premtime për t’u mbajtur brenda këtij 4-vjeçari.
Por, një vit më pas, çfarë ka arritur të përmbushë qeveria Rama 3?
Për Analistin Ben Andoni, populli ka kujtesë të shkurtër, nuk kërkon llogari, ndërsa politika nga ana e saj e zhvendos vëmendjen me qëllim.
"25 prilli është harruar akuzat e Bashës kanë kaluar, nuk I kujton më asnjeri dhe tregon papjekurinë e politikës tonë që nuk i ndjekin kauzat. Politika shqiptare ka treguar që është larg emancipimit të plotë. Politika ka dështuar në Premtimet e saj. Por shqetësimi i madh është që publikut nuk i bën përshtypje dhe nga ana tjetër Politika gjen kurajë që të vazhdojë të premtojë njësoj dhe ta çoji publikun në kanale kur po e manipulon mendjen e tyre. Shqetësimi më i madh është për të dy palët që ta zhvendosin vëmendjen e publikut drejt gjërave, për zgjedhjen e presidentit që nuk përbën ndonjë gjë interesante për publikun", tha Andoni.
Për avokatin Spartak Ngjela, ndonëse një pjesë e premtimeve janë realizuar, kjo nuk është reflektuar në zhvillim.
“Ka realizuar premtimet, por a e ka futur Shqipërinë në zhvillim?Ato që ka thënë ndoshta i ka realizuar më shumë se gjysmat por nuk ka optikë të saktë për tregun dhe zhvillimin ekonomik. Është një e metë që ka Shqipëria sot", tha Ngjela.
Dhe për këtë, avokat Ngjela fajëson opozitën.
"Sa herë s’ka opozitë nuk ka zhvillim, sepse mazhoranca bie në apati. Ai është kryetari i PS, Rama, kemi një defekt madh se sot kemi vetë një parti. Partia tjetër është në krizë drejt shpërbërjes, prej Saliut, kuptohet. Por ai e ka në favor. Fakti që e ka në favor dhe Shqipëria ka këtë opozitë këtyre u heq impenjimin", tha avokati.
Qeveria ka realizuar deri më tani pjesërisht rritjen e pagës minimale, heqjen e tatimit për pagat deri në 40 mijë lekë, ulje të tatimit për paga mbi këtë shifër, por ende nuk ka vendim për rritje deri në 30% të pagave në administratë dhe 40% në shëndetësi e arsim. Disa prej premtimeve që lidhen me infrastrukturën dhe rritjen e mëtejshme të pagave kanë afat realizimi deri në vitin 2025, ndërsa ende qeveria Rama 3 nuk ka arritur të lëshjë në hapësirë satelitët Albania 1 dhe Albania 2, për të cilat kishte afat deri në muajin mars.