Asnjë ceremoni. Thjesht ekspozime veprash të Ismail Kadaresë, të tilla, si vepra e tij e parë e botuar në 1954: “Frymëzime djaloshare”, botimi i parë dhe i dytë i “Argjiro”-së, botime të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, botime të “Koncert në fund të dimrit”, apo botimet e plota të veprës së shkrimtarit në Shqipëri dhe në Kosovë.
Kështu është përkujtuar shkrimtari Ismail Kadare në shtëpinë-muze të tij në Tiranë në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta.
“Prej fondit të Bibliotekës Kombëtare kanë dalë botimet e para të titujve të Kadaresë. Ka disa gjëra të vogla që lexuesi nuk i ka parë dhe për të cilat ka shumë kureshtje. Përshembull kam përballë ‘Frymëzime djaloshare’. Botimin e parë të Ismail Kadaresë. Me shumë gjasë përveç studiuesve, pjesa tjetër e lexuesve aktivë sot, nuk e kanë parë këtë titull, ndaj vendosëm të bëjmë këtë gjë”, tha Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpisë-studio ‘Kadare’.
Në Gjirokastër, nuk ishte planifikuar asnjë aktivitet, edhe pse qyteti i detyrohet jo pak shkrimtarit I cili e lidhi emrin e saj me një prej kryeveprave të tij.
Në një vjetorin e vdekjes se Ismail Kadaresë, banesa e tij sot te jep pamjen e një dite të zakonshme. Në një vit e gjysmë kjo banesë që ka marrë emrin Muzeu Ismail Kadare, ka patur një rritje te konsiderueshme të vizitorëve, kryesisht të huaj
Shkrimtari gjirokastrit dhe një prej miqve të Kadaresë Odise Kote, nënvizon lidhjen e fortë mes shkrimtarit dhe qytetit, ku secili I dha diçka njëri tjetrit
“Këtu jemi pikërisht atje ku nisi ai që quajmë fenomeni Kadare. Këtu janë shtëpitë e mëdha gjirokastrite. Pak më poshtë është sokaku i të marrëve, pas meje, kështjella e qytetit. Këto gjurmë të fëmijërisë kanë përcaktuar edhe përfytyrimin profetik të krijimit të një shkrimtari gjenial dhe të gjithë këto elemente kanë ngelur në krijimtarinë e tij”, tha Kote.
Për Koten, dy amanetet e mëdha të Ismail Kadaresë mbeten sot të paplotësuara. Rikthimi shqiptarëve në identitetin e tyre të vërtetë kombëtar dhe mbrojtja e gjuhës
Komente
