Sot një vit më parë Alexei Navalny, kryeopozitari rus u sëmur rëndë dhe pastaj ra në koma në një fluturim që duhej ta sillte nga Siberia në Moskë.
Helmim i cili tronditi situatën brenda dhe jashtë Rusisë. Qeveria gjermane në atë kohë pretendonte se ai ishte helmuar dhe sipas Navalny, Vladimir Putin qëndronte personalisht pas helmimit të tij.
E në vigjilje të kësaj date Kreu i opozitës ruse, Aleksei Navalny, iu bëri thirrje vendeve perëndimore që të luftojnë korrupsionin në nivel global, pasi sipas tij, ai është shkaku kryesor i shumicës së problemeve në botë.
Navalny përmes një letre të hapur, e cila u publikua nga gazetat perëndimore, thotë se derisa udhëheqësit perëndimorë përpiqen të zgjidhin problemet globale, siç janë luftërat, varfëria, migracioni, kriza klimatike dhe armët e shkatërrimit në masë, korrupsioni rrallë vendoset në krye të agjendës, edhe pse është shkaku i shumë prej krizave kryesore në botë.
Navalny u burgos në muajin janar kur u kthye në Moskë nga Gjermania. Në Berlin ai kishte marrë trajtim mjekësor pas helmimit dhe ai është dënuar nga autoritetet për mosrespektimin e kushteve të një vendimi më të hershëm gjyqësor.
Presidenti rus Vladimir Putin ka goditur organizatat politike të Navalny dhe Fondacionin Kundër Korrupsionit (FBK). Fondacioni i Navalnyt prej vitesh ka bërë publike veprimet e dyshuara korruptive midis elitave politike dhe të biznesit rus.
Kritiku i Kremlinit tha gjithashtu se udhëheqësit perëndimorë duhet të tregojnë "vendosmëri dhe vullnet politik" për të luftuar korrupsionin.