Në zgjedhjet e 25 prillit dështimin më të madh e kishte Lëvizja Socialiste për Integrim. Partia e drejtuar për herë të parë në një proces elektoral nga zonja Monika Kryemadhi, u fut në zgjedhje me pretendime të mëdha. Zonja Kryemadhi kishte shumë besim në vetvete aq sa në delir e sipër nuk e kishte për gjë që të deklaronte përpara zgjedhjeve nëpër studiot televizive se minimumi i deputetëve që do marrë LSI-ja është jo më pak se 40 mandate.
Bile, në një rast kur u pyet nga moderatori në studio se nëse LSI-ja do merrte 19 mandate, pra po aq sa kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2019, çfarë do përbënte kjo për zonjën Kryemadhi dhe për LSI-në, ajo pa e vrarë shumë mendjen iu përgjigj aty për aty: “Është dështim dhe do jap dorëheqjen”.
Mbase kjo ambicie e zonjës Kryemadhi u pa si një sfidë brenda familjes, ku egoja e bashkëshortit nuk mund ta pranonte që e shoqja të kishte më shumë sukses se ai në numrin e mandateve. Ky është thjesht një aludim, por mënyra shpërfillëse që të dy flisnin për njëri- tjetrin, sa herë pyeteshin nëpër intervista, ta lë këtë dyshim.
Nga një analizim i rezultateve të LSI-së për vitet zgjedhore 2017 dhe 2021, rezultojnë këto shifra:
Në zgjedhjet e vitit 2017 LSI-ja mori 225,901 vota ose 14.28 për qind. Në zgjedhjet e vitit 2021 LSI-ja mori 107,536 vota ose 6.81 për qind. Nga diferenca e shifrave midis këtyre dy zgjedhjeve, rezulton se LSI-së i kanë ikur 118,365 zgjedhës ose 52.4 për qind e atyre që kishte përpara 4 viteve.
Por zonja Kryemadhi nuk dështoi vetëm si parti, duke zbritur nga 19 në 4 mandate. Ajo pësoi disfatë edhe personalisht, si kryetare e partisë. Në zgjedhjet e 25 prillit, bazuar në Kodin Zgjedhor, zonja Kryemadhi vendosi që të kandidojë në tre qarqe, nga të cilët dy konsideroheshin përcaktuese për të krijuar mazhorancën qeverisëse. Ajo kandidoi në qarqet Tiranë, Fier dhe Elbasan, ku numri i popullsisë që votoi në këto qarqe përbën 50.4 për qind të numrit total të votave në rang republike.
Nga një vëzhgim i votave personale që ajo ka marrë në këto tre qarqe të rëndësishme, të cilat kanë në total 19 bashki ose 31 për qind të totalit të bashkive, zonja Kryemadhi ka marrë rezultate që me siguri as vetë nuk i priste.
Në qarkun Elbasan, ku u vra një ish-drejtues lokal i LSI-së, nga 156,162 vota të vlefshme, zonja Kryemadhi mori 721 vota ose 0.46 për qind të tyre. Ajo rezulton e treta më e votuar ndër 15 kandidatët e LSI-së dhe e dyta nga gratë e kësaj partie. Në rang bashkish, ajo ka dalë e para vetëm në një nga shtatë bashkitë që ka qarku Elbasan. Më konkretisht:
Në bashkinë Elbasan doli e para me 506 vota.
Në bashkinë Gramsh doli e dyta me 99 vota.
Në bashkinë Librazhd doli e treta me 32 vota.
Në bashkinë Prrenjas doli e katërta me 25 vota.
Në bashkinë Cërrik doli e dyta me 23 vota.
Në bashkinë Belsh doli e treta me 18 vota.
Në bashkinë Peqin doli e dyta me 17 vota.
Në qarkun Fier, nga 173,525 vota të vlefshme, zonja Kryemadhi mori 1771 vota ose 1 për qind të tyre. Ajo rezulton e para më e votuar ndër 18 kandidatët e LSI. Po ta marrin në rang bashkish, ajo ka dalë e para vetëm në një nga shtatë bashkitë që ka qarku Fier. Më konkretisht:
Në bashkinë Fier doli e para me 923 vota.
Në bashkinë Lushnje doli e dyta me 507 vota.
Në bashkinë Divjakë doli e dyta me 182 vota.
Në bashkinë Rroskovec doli e dyta me 66 vota.
Në bashkinë Patos doli e katërta me 57 vota.
Në bashkinë Mallakastër doli e katërta me 36 vota.
Në bashkinë Peqin doli e dyta me 17 vota.
Në qarkun Tiranë, nga 466,066 vota të vlefshme, zonja Kryemadhi mori 2446 vota ose 0.5 për qind të tyre. Ajo rezulton e dyta më e votuar ndër 36 kandidatët e LSI. Po ta marrin në rang bashkish, ajo ka dalë e para vetëm në një nga pesë bashkitë që ka qarku Tiranë. Më konkretisht:
Në bashkinë Tiranë doli e para me 2200 vota.
Në bashkinë Kavajë doli e dyta me 124 vota.
Në bashkinë Kamëz doli e nënta me 84 vota.
Në bashkinë Vorë doli e treta me 24 vota.
Në bashkinë Rrogozhinë doli e gjashta me 14 vota.
Nga 3 qarqet ku kandidoi, zonja Kryemadhi arriti që të dalë e para brenda LSI-së vetëm në një qark. Nga 19 bashki që kanë në total këto 3 qarqe, zonja Kryemadhi doli e para vetëm në 3 bashki, të cilat janë edhe qendër qarku, po edhe më të mëdhatë si numër votuesish në raport me bashkitë e tjera.
Këto rezultate që korri LSI-ja në përgjithësi dhe zonja Kryemadhi në veçanti, tregojnë se ajo e ka “shitur” veten nëpër studiot televizive më shtrenjtë se sa “kushton”. Elektorati shqiptar i vuri më 25 prill asaj dhe partisë që drejton çmimin që u takon. Këto shifra duhet të jenë një moment reflektimi dhe kthese, si për LSI-në, ashtu edhe për zonjën Kryemadhi, që të rrinë me këmbë në tokë dhe t’i shtrijnë ato sa e kanë jorganin.
Sigurisht, kandidatët e tjerë kanë menduar për vota për veten e tyre, ama votat që ka marrë zonja Kryemadhi në shumë bashki ku kandidoi si kryetare e partisë dhe si një figurë e njohur publike që është, nuk janë për t’u krenuar. Në shumë raste ajo është ndarë me 1 deri 5 vota me kandidatët e tjerë për të qenë shumë më poshtë në renditjen e listës së saj. Sasia e votave individuale përbën edhe njëfarë krenarie personale, por numri i pakët që ka marrë në shumicën e bashkive, nuk vlen as si justifikim që ajo nuk punoi për veten po për partinë.
Ndër shumë arsye themelore që çuan në dështimin e LSI-së në këto zgjedhje, ku veçohet djegia e mandateve (shkurt 2019) dhe braktisja e garës për pushtetin vendor (qershor 2019), do të rendis 10 arsye të tjera që pak janë analizuar si shkak i këtij dështimi.
(1) Vetëbesimi i tepruar, deri diku tallës me elektoratin, duke trumbetuar shifra mandatesh që shkonin përtej mundësive logjike për këtë parti;
(2) një fushatë elektorale e cila më shumë iu besua studiove televizive të debateve politike të mbrëmjes, se sa punës në terren;
(3) gjuha e ashpër dhe përjashtuese e zonjës Kryemadhi ndaj kryeministrit Rama e Partisë Socialiste, po edhe ish-kolegëve të dikurshëm të zonjës Kryemadhi;
(4) përfshirja histerike e bashkëshortit president në fushatë, duke e lënë në hije kryetaren e LSI-së sidomos në javën e fundit të fushatës;
(5) marrëveshja para zgjedhore me PD-në për bashkëqeverisje pas zgjedhore me të, duke larguar kësisoj nga vetja drejt PD-së elektoratin demokrat të fituar me pragmatizëm gjatë viteve 2013- 2017;
(6) heqja dorë si një parti pragmatiste që lufton për të marrë votat e saj dhe më pas bën koalicion me fituesin e zgjedhjeve, pavarësisht se cili është ai;
(7) lufta brenda llojit që shpërtheu në disa qarqe të rëndësishme të vendit;
(8) mungesa e personaliteteve të spikatur të shoqërisë si kandidatë nëpër qarqe;
(9) alternativë mediokre për qeverisjen e nesërme dhe përbetime për hakmarrje sapo të vinin në pushtet;
(10) ekip i dobët drejtues me figura të konsumuara aq sa nuk i votoi as pallati ku banojnë;
janë dhjetë prej shumë faktorëve të tjerë, të cilët ndikuan që LSI-ja të pësojë këtë tkurrje kaq të madhe në vota e mandate.
Sa më shpejt që LSI-ja dhe zonja Kryemadhi ta kuptojnë këtë realitet e të reflektojnë qartë duke ndryshuar qasje dhe sjellje politike, aq më shumë mundësi do të kenë për ndonjë ringritje qoftë edhe me hapa modestë. Zonja Kryemadhi duhet të heqë dorë nga kryeneçësia dhe dhuna e çizmeve, sepse kjo nuk i shton vota, përkundrazi. Ajo dhe 3 deputetët e LSI-së duhet t’i kthehen në shtator normalitetit të jetës parlamentare, duke i qëndruar larg ekstremizmit që treguan përpara se të digjnin mandatet.
Por, nëse sërish vijojnë me luftë llogoresh me kryeministrin Rama dhe Partinë Socialiste, duke u kthyer thjesht në një “apendicit” të Partisë Demokratike, rruga drejt shpërbërjes prej braktisjes nga elektorati që i qëndroi besnik më 25 prill, do të jetë e pashmangshme.