TIRANË- Kushtet e pazakonta në të cilën ndodhet Partia Demokratike, po imponojnë një garë të pazakontë për kreun e ri të selisë blu, që deri më 22 maj do të drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit.
Dy kandidatët e vetëm në garë, Sali Berisha që kandidaturën e tij e shpalli prej disa muajsh, dhe Ibsen Elezi që e dorëzoi atë vetëm disa minuta nga afatet kohore, të shtunën, ende nuk kanë nisur takimet në bazë për të kërkuar besimin e demokratëve për t’i votuar, edhe pse kanë mbetur vetëm 10 ditë kohë për fushatë.
Për më tepër, Berisha dhe Elezi ende nuk kanë prezantuar para demokratëve programin e tyre për drejtimin e partisë Demorkatike dhe idenë sesi ta bëjnë atë forcë alternative qeverisëse.
Krahasuar me zgjedhjet e fundit për kryetar në PD, ato të 13 Qershorit 2021, kur përballë Lulzim Bashës garuan Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, 4 kandidatët nisën fushatën më 21 maj, duke zhvilluar për 3 javë takime me anëtarësinë në thuajse të gjitha degët e PD dhe duke i prezantuar nga afër platformat e tyre për një PD më të fortë.
Data 22 maj për zgjedhje të kryetarit të ri të PD u caktua nga Kuvendi i 30 prillit, ndërsa po zhvillohen në një kohë kur gjykata ende nuk e ka thënë fjalën e fundit se kujt i përket drejtimi i selisë blu. Nëse kjo e fundit nuk do të vendosë në favor të Komisionit të Rithemelimit, PD-së do të duhet të hapë një tjetër garë pa kryetar, pasi ajo drejtohet nga Enkelejd Alibeaj që prej dorëheqjes së Lulzim Bashës më 21 mars.
Komente
