10 euro do të duhen që të paguajnë turistët që do të vizitojnë Venecian.
Turistët do të duhet të paguajnë këtë tarfië për të kaluar disa orë në destinacionin popullor italian, kur sezoni të fillojë në mes të prillit të vitit të ardhshëm, njoftuan autoritetet e qytetit.
Taksa, e cila gjithashtu do të mblidhet për një periudhë më të gjatë deri në fund të korrikut, nuk vlen për ata që kalojnë një natë në qytet. Mysafirët e hotelit në çdo rast paguajnë një taksë turistike.
Venecia u bë qyteti i parë që tarifoi vizitorët ditorë për të hyrë në rrethet e tij në pranverë këtë vit, duke vendosur një tarifë prej 5 eurosh nga ora 08:30 deri në 16:00.
485 000 vizitorët e regjistruar sollën 2,4 milionë euro në arkat e qytetit. Vizitorët që rezervojnë më shumë se tre ditë përpara do të tarifohen me tarifën e vjetër prej 5 eurosh në të ardhmen.
Përjashtohen banorët dhe fëmijët nën moshën 14 vjeç. Tarifa aplikohet nëpërmjet një kodi QR të smartfonit që mund të blihet online. Kushdo që gjendet pa faturë rrezikon teorikisht një gjobë deri në 300 euro, por kjo nuk u zbatua gjatë fazës fillestare të testit.