Kanë kaluar 22 vjet nga 10 maji i vitit 1998 kur shtëpia e gazetares Zenepe Luka u hodh në erë me dinamit. Para disa kohësh mediat kujtuan edhe një viktimë tjetër nga represioni brutal i regjimit të Berishës mbi gazetarët : dhunën barbare ndaj gazetarit Bardhok Lalaj.
Jemi në vitin 1996 në rastin e Bardhok Lalajt dhe në vitin 1998 në rastin e Zenepe Lukës.
Pas rënies së skemave piramidale, vendi u përfshi nga një dhunë e egër dhe konfrontimi social u bë tragjik. Personalisht as atëherë, as tani nuk e kam mbështetur rebelimin e armatosur sepse çdo formë dhune pjell dhunë. Nuk e kam mbështetur, madje edhe e kam denoncuar vrasjen makabre të punonjësve të SHIK-ut të atëhershëm në ambientet e Universitetit të Vlorës.
Mirëpo, kam çmuar gjithmonë raportimet e gazetares së atëhershme Zenepe Luka nga Vlora. Puna e saj si raportuese dhe gazetare terreni, intervistat që ajo realizonte, na ndihmuan të gjithëve të kuptonim përmasat e zemërimit dhe të rebelimit që po merrte qyteti i Vlorës.
Dje lexoja në një shkrim të botuar nga Zëri i Amerikës se ky stacion i fuqishëm kishte qenë në konflikt me administratën për një intervistë që ata i kishin marrë numrit dy të Al Kaedës. Mirëpo e drejta e medies është të informojë. Dhe Zenepe Luka bashkë me gazetën « Koha Jonë » ishin ndër të vetmet që raportonin në ato ditë të vështira. Redaksia e gazetës « Koha Jonë » u dogj dhe shtëpisë së Zenepe Lukës iu vu tritol më 10 maj 1998.
Ky krim ndaj një gazetareje dhe ai ndaj Bardhok Lalës nuk janë zbardhur ende dhe as qeveria e sotme nuk i ka shfrytëzuar mekanizmat që ajo ka për të hedhur dritë mbi këto ngjarje. Përkundër kësaj, të gjithë ata kolegë e drejtues të Zenepes në vitin 1998 sot mbështesin arkitektin e dhunës mbi gazetarët, Sali Berishën, ndërsa institucionet e drejtësisë heshtin.
Zenepe Luka, jeton me vështirësitë e një pensionisteje të zakonshme në Vlorë dhe djali jurist që ka mbaruar jashtë vendit, është pa punë.
Këtu më poshtë është linku i kronikës për hedhjen në erë të shtëpisë se Zenepe Lukës.