10 vite nga ligji antimafia/ Asnjë pronë e krimit s'është shitur! Kala për Report TV: 20 pasuri të nxjerra në ankand, '0' blerës

18 Shkurt 2020, 10:48| Përditesimi: 18 Shkurt 2020, 20:40

  • Share

TIRANË- 10 vite nga ligji antimafia, asnjë pronë e krimit nuk është shitur në ankand. Në një dekadë rezulton që të gjitha ankandet kanë dështuar. Agjencia e Administrimit të aseteve te sekuestruara duke iu përgjigjur interesit të Report Tv tregon se në 10 vite nuk ka pasur asnjë blerës.

"Në duar të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara aktualisht ndodhen pasuri me një vlerë të konsiderueshme totale prej 29.4 milionë eurosh, por shteti dështon t’i shesë pasuritë e paluajtshme apo makinat që u janë sekuestruar me vendim gjykate personave të lidhur me krimin". Kështu deklaron për Report TV administratori i këtij institucioni Artur Kala, sipas të cilit “pasuritë e paluajtshme të konfiskuara kanë dalë për shitje, por deri më tani nga të gjithë ankandet e zhvilluara nuk është shitur asnjë pasuri, nga rreth 20 pasuri te nxjerra në ankand”.

Sipas statistikave zyrtare, janë në total 3.6 miliardë lekë pasuritë në vlerë, të tilla si prona të paluajtshme, makina, mjete lundruese, por edhe llogari bankare, të cilat i administron institucioni i mësipërm. Kryesisht, këto pasuri rezultojnë të sekuestruara apo të konfiskuara në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë e Sarandë. Nga këto, 25.6 milionë euro është vlera e aseteve të sekuestruara dhe vetëm 3.9 milionë euro janë ato të konfiskuara, pra kur pronësia i ka ikur pronarit të mëparshëm dhe i ka kaluar shtetit. Vitet e fundit, konfiskimi ka ecur me “hapin e breshkës”.

Kështu, nga 183 pasuri të sekuestruara, vetëm 6 janë konfiskuar në vitin 2018 dhe nga 41 të sekuestruara në vitin 2019, janë konfiskuar vetëm 5 prej tyre. Aktualisht AAPSK ka nën administrim 182 pasuri të sekuestruara. Po ashtu rezulton se nder asetet e luajtshme konfiskuar krimit si makina janë 15 mjete qe po vlerësohen nëse do shiten për skrap apo si mjete. Ndërsa pese qarqet ku krimi ka investuar kapitalin e tij tashmë të sekuestruar janë Tirana, Durresi, Fieri, Vlora dhe Saranda.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?