Kanë kaluar 10 vite që nga vrasja e 4 protestuesve në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" gjatë një demonstrate të organizuar nga PS në vitin 2011, në opozitë në atë kohë. Këtë ditë e ka kujtuar edhe Zëvendëskryeministri Erion Braçe. Përmes një postimi në rrjetet sociale Braçe shkruan se për këto vrasje nuk janë hetuar as urdhëruesit, për të Sali Berisha dhe Lulzim Basha, por as ata që kanë zbatuar urdhrin, ku nuk ka asnjë të ndëshkuar për 4 viktimat Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Sipas tij fillimisht duhet të hetohen urdhëruesit, të cilët në vend që të mbajnë përgjegjësi për këtë tragjedi në fakt sot janë njerëz të pushtetshëm në politikë dhe në biznes.
"10 vite pa drejtësi! Urdhëruesit e pushkatimeve janë të lirë, të pahetuar, të pagjykuar, të pa ndëshkuar; madje madje njerëz të pushtetshëm në politike, ekonomi, biznes. Quhen Sali Berisha e Lulzim Basha! Pushkatuesit janë të lirë, të hetuar një pjesë, të pahetuar pjesa tjetër, të gjykuar një pjesë, të pagjykuar pjesa tjetër, të pandëshkuar të gjithë! Zhdukësit e provave janë të lirë, të pahetuar, të pagjykuar, të pandeshkuar! Gjyqtarët e këtij krimi janë të larguar të gjithë nga sistemi i drejtësisë! A është drejtësi kjo? Jooooooooooooo! Kush e vrau Aleks Nikën? Vrasja e tij as është hetuar, as është gjykuar e as është ndëshkuar! Po Sokrat Goden e Fatos Mahmutajn kush i plagosi? As për ta nuk ka autor! Ky është bilanci penal i një pushkatimi! Ndaj hetimi duhet rihapur nga drejtësia e re! Kjo drejtësi nuk fiton besim vetëm duke goditur krimin e rrugës; kjo drejtësi bëhet e fortë, e drejtë, e barabartë dhe funksionale, duke goditur krimin e politikës, pushtetit, këtë pushkatim, më i madhi e me i rendi që nga koha e fashizmit! E di, do nisë tani kënga “kujt i ankohesh, ti je në pushtet”! Nuk dua të përgjigjem me këngën tonë “prokuroria e gjykata janë të pavarura”! Jo! Ky krim nuk i përket as vetëm qeverisë, as vetëm prokurorisë, as vetëm gjykatës! Ky krim i përket gjithë shoqërisë! Presioni për drejtësi, duhet të jetë i gjithë shoqërisë; i njëanshëm, vetëm prej socialisteve është i kufizuar, i paragjykuar dhe i pafuqishëm! Shoqëria duhet të mos pajtohet me pushkatimet politike, pa gjyq por veç me një urdhër politik që mbrohet edhe tani. Hetimi duhet të rinisë këtu, tek urdhri, sa kohë që urdhri nuk është hetuar, gjykuar, po mbrohet si i drejtë edhe pas 10 vitesh", shkruan në postimin e tij Erion Braçe.