Pasi për gati 10 vjet, kishte punuar në qytete të ndryshme të Arabisë Saudite, Radalin 44-vjeçarja nga Filipinet prej disa ditësh, është vendosur në Shqipëri.
“Unë kam një javë që kam ardhur këtu. Unë jam dado, kujdesem për dy fëmijë. Para se të vija, punoja në Abu Dabi”, tregon ajo.
Ajo tregon se ju desh të paktën një muaj që të plotësonte dokumentacionin e nevojshëm, e të pajisej me vizë për të ardhur në Shqipëri
“Kam një shoqe që po ashtu është dado. Ajo më sugjeroi të vija. Më mori në telefon dhe më tha: ‘Motra e pronares do një dado. A do të vish këtej, se është shumë mirë?’ Edhe unë i thashë po”, rrëfen Radalin.
Ajo rrëfen se nuk kishte pasur dilema për të bërë këtë zgjedhje
“Këtu kemi edhe një ditë pushimi. Në Abu Dabi kam qëndruar pa asnjë ditë pushimi për 2 vite. Edhe kur lëvizja, nuk më linin të lëvizja vetëm. Gjithmonë më shoqëronin pronarët. Këtu kam dhomën time dhe çdo gjë është e paguar. Plus, kam një ditë pushimi. Jeta këtu është më e lehtë.”, tregon filipinasja.
Radalin, la Filipinet, pas divorcit me bashkëshortin dhe vështirësive të shtuara financiare. Si çdo prind, ajo kërkon që të paktën ti ofrojë më shumë mundësi djalit të saj.
“Unë jam e ndarë këtu prej 10 vitesh. Kam një djalë 15 vjeç, i cili është ende në Filipine me motrën time. Uroj shumë që të vijë edhe ai këtu. Shqipëria është një vend shumë, shumë i mirë. Do ta sjell edhe djalin këtu. Ai për dy vjet mbaron kolegjin dhe do ta sjell. Pagesa këtu është shumë më e lartë se sa e kisha në Abu Dabi.”, thotë ajo.
Në Shqipëri, numri i grave filipinase që punojnë në familje shqiptare ka ardhur duke u rritur ndër vite. Një numër i lartë bashkëkombasish të saj, priten po ashtu të vijnë në vend, ku kërkesa për fuqi punëtore mbetet e lartë. Ambasadori filipinas në Shqipëri tha për Report TV se negociatat e qeverisë shqiptare për të marrë punonjës nga Filipinet kanë avancuar, dhe pritet të firmoset marrëveshja. Kërkesa e qeverisë është për 20 mijë punëtorë. Bëhet fjalë për shërbime në strukturat akomoduese në Shqipëri hotele, bare e restorante.
Komente
