10 vjet nga 21 Janari/11 gjyqtarët që shpallën vrasjen e protestuesve si pakujdesi, përplasjet me SHBA-të dhe ku kanë përfunduar sot

20 Janar 2021, 16:22| Përditesimi: 20 Janar 2021, 16:44

  • Share

Dhjetë vjet më parë, në 21 Janar 2011, Garda e Republikës nën komandën e Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit, hapi zjarr mbi protestën para Kryeministrisë, duke vrarë katër qytetarë të pafajshëm dhe plagosur gjashtë të tjerë. Siç dihet botërisht tashmë, krimi i paprecedentë i 21 Janarit, për të cilin Sali Berisha vij mburret dhe të sfidojë edhe sot drejtësinë, u pasua me një sagë krimesh të tjera. Saga përfshin lëvizjet për të manipuluar vrasjes dhe për t’ia faturuar opozitës së atëhershme, zhdukjen e provave të krimit, ndryshimit të armëve dhe tytave të tyre, zhdukjes së pamjeve filmike nga serveri i Kryeministrisë, refuzimi i zbatimit të urdhër-arresteve të prokurorisë për zinxhirin e gardës me qëllim për të fituar kohë për koordinimin e alibive, presioni ndaj drejtësisë etj.

Po aq i rëndë sa akti i vrasjeve konsiderohet edhe vendimi i drejtësisë për 21 Janarin. Fillimisht, në 8 shkurt 2013, gjyqtarët e shkallës së parë, Besnik Hoxha, Ardjana Beraj dhe Arjana Gumbardhi, shpallën të pafajshëm Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, për të cilët prokuroria kërkonte 23 vite burg për Prendin dhe 25 për Llupon, për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit. Ambasada Amerikane në Tiranë tha se ishte e tronditur nga ky vendim i pabazë. “Fatkeqësisht, verdikti i sotëm ka minuar besimin në aftësinë dhe gatishmërinë e sistemit gjyqësor shqiptar për të dhënë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe transparente”, thuhej në deklaratë.

Pas kësaj deklarate, reaguan tre gjyqtarët, të cilët akuzon Ambasadën Amerikane, se po ndërhynte në punët e drejtësisë. “Deklarata e Ambasadës se SHBA në Tiranë është shqetësuese dhe ndërhyn në proçesin e rregullt ligjor nëpërmjet komenteve mbi një çështje përpara zbardhjes së vendimit nga trupi gjykues, përpara qëndrimit të prokurorisë mbi hapat e mundshëm dhe përpara mbylljes së proçesit të rregullt ligjor lidhur me këtë çështje. Deklarata të tilla mund të jenë paragjykuese ndaj këtij procesi të drejtë, ligjor dhe të paanshëm”, thuhet në reagimin e tyre.

Tre gjyqtarët vijojnë ende sot të shërbejnë në sistemin e drejtësisë. Asnjëri prej tyre nuk është përballur ende me Komisionin e Vetingut, për shkak se shërbejnë në shkallën e parë dhe se Vetingu ka nisur nga nivelet më të larta. Për Besnik Hoxhën dhe Ardjana Berajn ka nisur procesi i verifikimit, ndërsa Arjana Gumbardhi nuk është përzgjedhur ende me anë të shortit për t’u verifikuar.

Pas presionit të fortë ndërkombëtar, Apeli rrëzoi vendimin e tre gjyqtarëve si dhe pranoi provat e prokurorisë se ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ka varë Faik Myrtaj dhe se ish-gardisti Agim Llupo ka vrarë Ziver Veizit. Por, sipas Apelit vrasjet ishin nga pakujdesia. Ky ishte arsyetimi i tre gjyqtarëve të Apelit në Tiranë Agim Bendo, Ervin Metalla dhe Evjeni Sinojmeri. Sipas tyre, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo nuk i njihnin viktimat. Me këtë logjikë, edhe një terrorist që hedh në erë një metro, nuk i njeh viktimat!

Ervin Metalla u shkarkua nga të dy shkallët e Vetingut për pasurinë, ndërsa u përjashtua për 15 vite nga e drejta për t’u bërë pjesë e gjyqësorit. Agim Bendo dha dorëheqjen sapo iu afrua ora e Vetingut, duke pretenduar se ishte sëmurë. Evjeni Sinojmeri mori një leje dyvjeçare për arsye familjare nga KLD, pak para se të KLD-ja të shkrihej. Leja e gjyqtares ka përfunduar në 9 shkurt 2020. Për Sinojmerin procesi i Vetingut ka nisur që në nëntor 2018. Ende nuk ka një datë për daljen e saj para KPK-së, për t’u njohur me rezultatet  e verifikimit.

Arsyetimi i tre gjyqtarëve të Apelit u konfirmuar dhe u la në fuqi nga pesë ish-gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, që të gjithë të emëruar nga Partia Demokratike dhe LSI. Ata janë Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi, Aleksandër Muskaj dhe Guxim Zenelaj. Edmond Islamaj dhe Artan Zeneli janë shkarkuar me vendim të formës së prerë nga organet e Vetingut për probleme me pasurinë. Shkëlzen Selimi është shkarkuar detyra për kontakte të papërshtatshme me krimin.

Aleksandër Muskaj dhe Guxim Zenelaj dhanë dorëheqjen nga drejtësia, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronin në Gjykatën e Lartë pa limit, deri kur të zëvendësoheshin, siç bëri Ardian Dvorani në Gjykatën e Lartë apo Vitore Tusha në Gjykatën Kushtetuese. Hetimi dhe ndëshkimi i këtyre gjyqtarëve, përfshirë edhe subjektet e tjera që nuk kanë kaluar Vetingun, janë tashmë një kushte që Brukseli i ka vendosur Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?