“A e di bir?/ Më bëre poet/ që me vargjet e mia të nemitura/ t’u këndoj heshtjeve të tua”. Shkruan kështu, autori Nikolin Gurakuqi, në më të fundit poemë të tij “Eja ikim”, dedikim për birin e tij Marsidin, në këtë 10-vjetor të ndarjes nga jeta. Na e rrëfen inspirimin, ndjesitë e dhimbjen, në këto ditë Panairi të Librit, në takimet e tij të drejtpërdrejta me lexuesin
“Praktikisht, është e vërtetë, ai më bëri poet. Unë, gjatë muajve të parë, sigurisht e përjetova dhe se pranova humbjen, por në momentin që fillova ta pranoj kuptova që unë duhet të bëj vetëm vepra artistike për të. Dhe këtë kam bërë!”, thotë regjisori e autori Nikolin Gurakuqi.
Nga “Stinët e dhimbjes sime” , që gdhendi britmat e humbjes së fëmijës në 124 poezi, Gurakuqi nuk ka reshtur së shkruari, ndërsa siç thekson kritika në vargjet e tij ka kualitet. Dy libra të tjerë, tanimë të përfunduar, presin botimin.
“Më ka ndihmuar shumë. Krijimtaria poetike është shumë e çuditshme, është një mjekim i shpirtit...”, thotë më tej.
E konsideron si kulmin e krijimtarisë së tij, poemën “Eja ikim”, ku poeti në 70 vargje, rend pas një pikëbashkimi të dy botëve, për të takuar djalin e tij.
“Nuk është e lehtë të shkruash një poemë, poema noton, nuk do të thosha nëpër dhimbje, por noton në një dialog midis atit e birit ndonëse në dy botë të ndryshme ata dialogojnë me njëri tjetrin dhe kërkojnë të ikin në një hapësirë asnjanëse. Babai të iki nga hapësira e jetës, djali nga hapësira e vdekjes dhe të takohen diku...”, rrëfen Gurakuqi.
Marsidi nje djal i mrekullueshem me nje bote dhe njohuri te jashtzakonshme. Nje nga dhimbjet me te madhe ne jete qe kam patur per humbjen e mikut tim me te mire. Familja Gurakuqi , familje patriotesh te vertete qe ka knotribuar ne te gjitha format per te mbajtur gjalle kulturen dhe traditen Shqipetare. Lutem qe Marsidi te prehet ne paqe dhe Zoti ja lehtesofte dhimbjen familjes sado pak nepermjet poezise letrare
Përgjigju