Nga viti 2015 e deri më tani, bashkitë i kanë ulur borxhet me 61%, por pushteti lokal ka edhe 48 milionë euro fatura të papaguara.
'Reforma territoriale administrative para disa vitesh ka qenë një sukses pavarisht vështirësive që mund të ketë pasur në zbatim. Kemi një rënie sistematike të detyrimeve që bashkitë kishin’, tha Arbian Mazniku, ministër për Çështjet Vendore.
Eksperti i çështjeve vendore, Agron Haxhimali nuk është optimist për rezultatet pas një dekade.
'Bashkitë e vogla ngelen sërisht në probleme qoftë në shpërndarjen e burimeve njerëzore dhe qoftë me sasinë dhe cilësinë e shërbimeve dhe qoftë me performancën e tyre, sa i përket mbledhjes së të ardhurave”, tha Agron Haxhimali.
Raporti i qeverisë tregon se bashkitë e vogla kanë vështirësi të krijojnë të ardhura vetë, ndaj janë të varura nga fondet e qeverisë. Haxhimali shpjegon se këto 15 bashki me më pak se 10 mijë banorë, rrinë në këmbë për arsye politike.
‘Po më jep atë bindjen se disa bashki u krijuan të vogla sërish vetëm për arsye të negociatave politike për të marr vota për të bërë reformën dhe sot këto njësi janë pa asnjë produktivitet’, tha ai.
Sa i takon të ardhmes, qeveria nuk po nxiton të shkojë drejt një harte të re të Shqipërisë, por po përpiqet t’i zgjidhë problemet duke rregulluar kompetencat mes qeverisë dhe bashkive.
'Jam kundër decentralizimit të tepërt, çfarë është komunale t’jua japim, çfarë është e qeverisë, duhet të rrijë. Nuk mund t’ju japim bashkive çdo gjë. Arkitektura e shtetit duhet të ruhet. Vetëm ushtria ka ngelur pa ju dhënë', tha Haxhimali.
Sipas raportit të prezantuar nga ministri Mazniku, bashkia e cila ka të ardhurat më të larta për frymë, është ajo e Himarës, ndërsa bashkia e Beratit është në krye të piramidës, si njësia që ka ditur të fitojë më shumë fonde nga donatorët e huaj.