100 ditë nga fillimi i qeverisjes nga Kryeministri Avdullah Hoti, në një seancë të kuvendi ka raportuar për punën e kabinetit të tij qeveritar.
Hoti në fjalën e tij ka theksuar se qeveria ka punuar për mbrojtjen e lirisë qytetare, të rendit demokratik dhe lirisë së shprehjes, integrimin evropian të vendit dhe sigurinë në jetën e qytetarëve.
“Për shkak të situatës nëpër të cilën po kalon Kosova, prioritetet e Qeverisë kanë qenë: lufta kundër pandemisë së koronavirusit, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftmi i dukurive negative dhe veçmas i krimit dhe korrupsionit, marrja e përgjegjësisë për të quar përpara procesin e dialogut, avancimi i procesit të integrimit evropian, në përputhje me obligimet që kemi nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit”, tha Hoti.
Ai ka theksuar se lidhur me menaxhimin e pandemisë, Kosova ka arritur të bëhet shembull në Ballkan.
“Më duhet të them se për këtë pandemi jemi sharë shumë edhe në këtë kuvend, por sot jemi bërë shembull në rajon dhe më gjerë se si menaxhohet kjo situatë. Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme” tha Hoti.
Megjithatë, ai shtoi se pandemia e COVID-19 ka goditur ekonominë e vendit duke ndikuar negativisht në të gjithë aspektet ekonomik. Ndërkohë që theksoi se Lufta ndaj korrupsionit mbetet prioritet i përhershëm, i qeverisë.
“Gjatë këtyre 100 ditëve kemi pasur zero afera korruptive”, theksoi kryeministri.
Gjatë tre muajve të fundit, sipas Hotit, qeveria e tij ka arritur të rivendosë marrëdhëniet e ngushta me vendet mike, si me SHBA dhe me vendet kryesore të BE-së, të dëmtuara sipas tij ndjeshëm nga qeveria e mëparshme e drejtuar nga Albin Kurti.
Gjatë seancës është vënë re se sa herë kanë folur deputetët e Vetëvendosjes, kryeministri ka braktisur sallën e kuvendit.