Politikë

100 euro për pensionistët, Berisha: Rama u bleu votën me bonus

6 Gusht, 14:17| Përditesimi: 6 Gusht, 14:42

  • Share

Nga selia blu, kryedemokrati Sali Berisha vijon të denoncojë atë që sipas tij është farsa elektorale e 11 majit.

Këtë herë u përqëndrua tek bonusi prej 100 eurosh që qeveria shpërndau për pensionistët duke akuzuar Kryeministrin Rama se e ka bërë me qëllim për t’u blerë votën.

“Edi Rama përdori dhuratën 100 euro për pensionistë, për 760 mijë pensionistë, për të ndikuar për votën në një kohë kur unë kam sjellë këtu një statistikë të Eurostatit. Dhe kjo statistikë e Eurostatit tregon se pensionistët shqiptarë në të gjithë Europën janë ata që paguhen më pak se të gjithë të tjerët. Janë ata, të cilët në vlerë nominale mujore paguhen 50 përqind më pak se sa vendi i parafundit, se sa Turqia. Kurse në fuqi blerëse të monedhës, ata janë pothuajse tre herë nën Turqinë. Janë rreth dy herë nën Bosnjen dhe janë mbi dy herë gjer në 6.5 herë nën pensionistët e tjerë. Pra në qoftë se me fuqi blerëse, nuk po them se me kështu janë 20-30 herë, por po marr fuqinë blerëse se ky është tregues më real, me fuqi blerëse, pensionisti shqiptar është rreth 7 herë nën një pensionist evropian”, tha ndër të tjera Sali Berisha.

Ky akt i qeverisë, sipas tij, duhet të ishte objekt i SPAK-ut, por kreu i saj, Altin Dumani, sipas Berishës, po mbron krimet elektorale.

Kryedemokrati denoncoi edhe një tjetër fakt, që sipas tij, Kryeministri shpërndau 40 Euro për 200 mijë persona me aftësi ndryshe për të blerë votat.

 

Ora 14:35
Berisha akuzon Ramën: Shpërblimet për personat me aftësi të kufizuar i shpërndau gjatë fushatës elektorale për të blerë vota

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në vijim të denoncimeve të tij për blerje votash nga qeveria, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se ka shpërndarë 40 euro për rreth 200 mijë persona me aftësi ndryshe dhe për kujdestarët e tyre.

Në deklaratën e bërë nga selia blu, Berisha tha se pagesat për personat me aftësi ndryshe janë përdorur gjatë fushatës elektorale.

Sipas kryedemokratit, shumat prej 40 euro janë shpërndarë në formë shpërblimi për këtë kategori, vendim që është marrë në muajin dhjetor 2024 nga qeveria, por që siç u shpreh Berisha, është zbatuar gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit 2025.

“Ai ka përdorur pagesat për personat me aftësi ndryshe në kulmin e fushatës elektorale për të blerë vota.

Ka shpërndarë për 164 mijë persona me aftësi ndryshe, dhe për mijëra e mijëra kujdestarë të tyre që në total shkojnë rreth 200 mijë, ka shpërndarë si shpërblim  4 mijë lekë apo 40 euro.

Një vendim, të cilin e kanë marrë në dhjetor, por e kanë zbatuar pikërisht atëherë kur nuk mund të zbatohej, e kanë zbatuar në fushatën elektorale.

Solla këto shembuj për të ilustruar cinizmin ekstrem dhe pashpirtësinë e narkoqeverisë, e cila ndonëse i lë në kushte më të mjera, ju e patë, pensioni në Shqipëri është 60 përqind më i ulët se sa në vendin me pensionin më të ulët në Europë.

Dhe në vend se të ishte ndjekur politika e rritjes së pensioneve, e vendosjes së minimumit jetik, ndiqet praktika e shpërblimit për votë si për pensionistët, ashtu edhe për 200 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.

Dënoj dhe njëherë me forcën më të madhe këtë farsë të shëmtuar zgjedhore dhe deklaroj se PD kurrë nuk do të njohë, nuk do ta pranojë.

Do bëjë gjithçka që shqiptarët të votojnë si qytetarë të lirë”, deklaroi Sali Berisha.

 

 

 

 

 

 

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?