Ishte viti 1962 kur piktorët Vilson Kilica dhe Ksenofon Dilo hodhën në telajo portretin e Ismail Kadaresë, atëherë djalë i ri. Dy vepra të realizuara njëherësh sepse piktorët ishin miq të shkrimtarit, këto piktura, sot janë më të hershmet në kohë që portretizojnë Kadarenë, ndërsa mbartin për këtë arsye një vlerë edhe më të madhe. Të dy pikturat, bashkë me 98 portretë të tjera, janë pjesë e albumit fotografik “100 portrete-Kadare në artet figurative”, një botim i realizuar nën kujdesin e Abaz Hados.
“E nisëm këtë album sa ishte gjallë Kadareja dhe donim ta përfundonim sa ishte gjallë por na vinin vazhdimisht vepra. Ajo që është interesante është që duke bërë reale këtë ide vërejmë se sa shumë portrete ishin bërë sa u detyruam që disa nga veprat t’i kalojmë në një album tjetër, po me 100 vepra.”, - tregon për "Report TV", Abaz Hado, kurator i albumit.
Pjesë e veprave janë edhe ato të Bashkim Ahmetit, Koço Ristanit, Agron Dines, Myrteza Fushekatit etj., ndërsa portreti i fundit është realizuar në Labinot të Elbasanit nga piktori Arif Lushi, ku shkrimtari ka pozuar duke shijuar natyrën e bukur në shoqërinë e bashkëshortes dhe disa miqve të afërt, dy muaj para se të ndahej nga jeta.
“Edhe nëpërmjet kopertinës donim të tregonim edhe atë sistem që Kadarenë e donte në mënyrë të egër. E donte sepse i interesonte të ishte Kadareja, por Kadareja i shmangej me talentin e tij. Ndërsa në fund e mbyllim me një portret të Elenës, si ajo që i ka qëndruar në krah.”, - shpjegon Hado.
Pjesë e albumit janë edhe disa vizatime që shprehin në mënyrë origjinale disa momente të shkrimtarit të konceptuara në portrete intime interesante me autorë studiuesin e letërsisë dhe kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Dhimitër Shuteriqi, regjisori Kujtim Spahivogli, piktorët Andon Kuqali, Fatmir Haxhiu, Andon Lakuriqi, Ylli Haruni, Zaim Elezi, Meri File, Pëllumb Aliaj etj.
Ndërsa të tjerë e kanë orientuar në masë të madhe krijimtarinë e tyre kryesisht mbi veprën dhe personalitetin e Kadaresë, vepra të cilat do të përmblidhen në të tjerë albume kushtuar figurës dhe veprës së shkrimtarit.
Komente

Gjithmone kam pyetur veten pas mbarimit te leximit te cdo vepre te Kadarese; " Perse valle refuzonte te kthehej ne Shqiperi, edhe pas viteve 90??! Veprat e Kadarese kane nocionin e nje kohezgjatjeje ne shekuj per natyrat e regjimeve totalitare si dhe personazhet te cilet asnjehere nuk vjetersohen. Te duket sikur ata jane skalitur ne vepren e autorit me mentalitetin e "mases popullore" dhe " sundimtarit te perjetshem" , raport i cili gjithmone do te gjeneroje subjekte dhe personazhe te tilla. Thelbi i Kadarese ose refuzimi i kthimit, sipas opinionit tim personal,eshte se bota ( po e pergjithsoj konceptin e kultit te ibdividit), nuk arrin te vendose nje performance perfekte ne balancimin midis reales dhe ireales. Dhe Kadare ne sensin e perfytyrimit te ireales shkroi vepren e tij reale dhe aktuale.
Përgjigju