Gjatë një takimi online në lidhje me mbështetjen e Star up-eve të reja, kryeministri Edi Rama iu përgjigj skeptikëve në lidhje me deklaratat e bëra pak ditë më parë ku tha se në Korçë ka të rinj që paguhen 1-8 mijë euro në muaj. Rama tha se shumë të rinj sot janë dëshmitarë të këtij realiteti që ndodh jo vetëm në Korçë. Ai tha se janë gati qendrat në disa qytetet të Shqipërisë duke nisur nga piramida në Tiranë, Shkodër, Vlorë që do trajnojnë të rinjtë në fushën e kodimit për të fituar paga të kënaqshme pa qenë nevoja të dalin nga vendi.
“Jemi në proces për të bërë gati një hapësirë fantastike me standarde më të larta europiane dhe bashkëkohore për të strehuar shumë iniciatorë dhe për ta kthyer piramidën në qendër të madhe inovacioni. Në Korçë është hapur programi fleksibël për mbështetjen e start up-eve njësoj si në Shkodër. Korça ka marrë një fond për të mbështetur realisht këtë projekt. Në Vlorë jemi duke përgatitur transformimin e asaj godinës fantazëm në një qendër të komunitetit për kodimin dhe duam të krijojmë një rrjet të tërë me qendra të tilla në të gjitha qendrat e qarqeve të Shqipërisë që të rinjtë të përfshihen në këtë rrjet dhe të trajnohen për t’u kthyer në kodues dhe për të marrë dhe dije të tjera, për të dalë në një treg pa dalë nga Shqipëria. Kam parë përqeshje për atë që thashë se ndodh në Korçë por edhe ju jeni dëshmitar të këtij realiteti që të rinjtë mund t’i japin vetes punë me pasion dhe jo thjesht për t’u ushqyer dhe për t’u paguar ashtu sikur askujt nuk ia pret mendja se mund të arrihet”, tha Rama.
“Në Korçë janë të paktën 100 të rinj që sot fitojnë nga 1-8 mijë euro në muaj, janë komplet në botën e tyre nuk punojnë as në shtet as në privat, por thjesht kanë gjetur punë në internet dhe bëjnë shërbime për të tretë që ju sjellin të ardhura në Shqipëri dhe sot janë 2.4 mln vende pune të lira që konsiderohen si potencial i këtij momenti për shërbime të kësaj natyre për kompani që mund të jenë në fund të botës e arrihen me një klik”, ishte kjo deklaratë e Ramës e bërë pak ditë më parë.
Lajmi kryesor:
Rama lë në mes takimin me sipërmarrësit: Duhet të sigurojmë vaksina të tjera, fiksimi i këtyre ditëve! 150 Start Up-e janë ndihmuar, ky sektor vizion për Shqipërinë 2030
//ReportTv.al