Në foto diplomati i shquar francez, Justin Godart dhe konferenca e mbajtur në Akademinë e Shkencave

Kultura

“100 vjet nga udhëtimi i Justin Godart në Shqipëri”, konferenca shkencore e mbajtur sot në Akademinë e Shkencave

24 Qershor 2021, 22:54| Përditesimi: 24 Qershor 2021, 23:06

  • Share

U mbajt sot në Akademinë e Shkencave konferenca shkencore: “100 vjet nga udhëtimi i Justin Godart në Shqipëri”. 

Akad. Pëllumb Xhufi, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, përshëndeti konferencën dhe foli për rolin e madh që ka luajtur Justin Godart (Zhysten Godar) (26 nëntor 1871-12 dhjetor 1956) në një kohë të vështirë, kur Franca kishte synime dashakeqe dhe bënte që imazhi i Shqipërisë të rrethohej nga një propagandë e dëmshme dhe paragjykuese e shumë rrymave politike lindore e perëndimore.

Akad. Xhufi tha se Justin Godart ngriti fort zërin që Shqipëria të pranohej në Lidhjen e Kombeve.

Në shënimet e tij për Shqipërinë në vitet 1920, Godart i mbronte shqiptarët si njerëz që e kishin vetëdijen të përparuar dhe luftonin për pavarësinë e tyre si çdo popull tjetër.

Ai shkruante për cilësitë e mira të shqiptarëve dhe vëllazërinë midis myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve, ku e përshkruante mendësinë fetare të lidhur me cilësitë europiane të tolerancës.

Akad. Xhufi tha se Godart mbrojti çështjen e Shën Naumit në Lidhjen e Kombeve, dhe e quajti fatkeqësi që fuqitë e mëdha ia dhanë Serbisë pa të drejtë. Më 24 maj të vitit 1921, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve falë edhe kontributit të Justen Godart.

Akad. Xhufi përmendi më tej fakte të rëndësishme që dalin në dritë në ditarët e Godart për figura të njohura dhe të mëdha të kombit si Ahmet Zogu, Fan Noli, Gjergj Fishta, e të tjerë.

Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, foli për ndihmën që ka dhënë Godart duke ngritur zërin në përkrahje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve të marra nëpër këmbë nga fuqitë e mëdha. 

Personalitet politik francez me ide përparimtare, deputet dhe ministër në qeverinë e Francës gjatë Luftës I Botërore, ai e vizitoi Shqipërinë disa herë e në periudha të ndryshme: së pari më 1921, pasi kishte ngritur zërin në përkrahje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve të marra nëpër këmbë nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës I Botërore dhe nga shtetet fqinje ballkanike, dhe së fundi më 1950-n, kur ishte zgjedhur kryetar nderi i shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri.

Dr. Dorian Koçi tha se Godart shkroi dy libra për Shqipërinë: “L’Albanie en 1921” (“Shqipëria më 1921”) dhe “L’Albanie en 1922” (“Shqipëria më 1922”), botuar në Paris në vitin 1922, në të cilët shprehu besimin në veprimtarinë e forcave demokratike të popullit shqiptar.

Ai përshkroi udhëtimet e spikatura të dokumentuara në këto libra dhe tha se rrëfimet e Godart hedhin dritë mbi një periudhë shumë të rëndësishme historike të Shqipërisë.

Prof. as. dr. Bernard Zotaj tha se Godart nisi t’i kundërvihej hapur diplomacisë franceze, e cila e ndikuar nga konjukturat politike ndërkombëtare mbante qëndrim të padrejtë ndaj problemit shqiptar. Ai krijoi besimin në Francë se populli shqiptar bënte një luftë të drejtë për prosperitet e përparim, -tha Zotaj dhe theksoi se gjatë gjithë jetës së tij Godart mbeti mik i Shqipërisë. Në fund të vitit 1950, në moshën 80-vjeçare ai erdhi në Shqipëri për të marrë pjesë në festat e nëntorit.

Për rolin e Godart në pasurimin e arkivave shqiptare foli dr. Ardit Bido. Drejtor i AQSH-së.

Prof. as. dr. Esmeralda Kolaneci -Universiteti i Tiranës, foli për raportin e hartuar prej Godart me 11 kapituj që përmbante argumente realiste.

Në materien e tij deduktohej se Shqipëria ishte viktimë e ambicieve territoriale të fqinjëve të saj dhe përgjegjësia për vështirësitë që shfaqeshin për zgjidhjen e situatës i atribuohej politikës kundërshtuese të selive qendrore të Athinës dhe Beogradit.

Edhe pse politikani francez ishte i vetëdijshëm se jo të gjithë do të mirëprisnin dhe pranonin përmbajtjen e raportit, dhe se kritikat apo kontestimet do të ishin intensive, ai preferoi të qëndronte krah Shqipërisë dhe të vërtetës së saj, i bindur se vizioni i tij për çështjen shqiptare apo për të drejtën dhe parimet juridiko- ndërkombëtare do të prevalonin në çdo interpretim dhe vendim të asaj që quhej “bërthama vendimmarrëse” e diplomacisë europiane, -tha  Kolaneci.

Prof. as. dr. Frederik Stamati mbajti një kumtesë për dhuratat e qeverisë franceze dhe Muzeut të Luvrit për Muzeun Kombëtar në vitin 1923 dhe flamurin që ngriti Themistokli Germenji në 1916-n për të shpallur autonominë e Korҫës, që e solli në Shqipëri Justin Godart. 

Stamati citoi kujtimet e Godart për ceremoninë e dorëzimit të flamurit kryeministrit të kohës Pandeli Evangjelit.

Ai citoi dokumenta dhe proceverbale të kohës që dëshmojnë ngjarjen dhe përmendi më pas sesi u dorëzuan, kur u inagurua Muzeu Kombëtar, nga qeveria franceze 33 objekte porcelani nga të Sevrës, skulptura, pjata dekorative, vazo, etj., që i solli dhe i dorëzoi Justin Godart. Ai solli edhe 36 copë gravura të dhuruara nga Muzeu i Luvrit, tha Stamati ndër të tjera.

Konferenca shkencore: “100 vjet nga udhëtimi i Justin Godart në Shqipëri u organziua në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.

*

Justen Fransua-Pierre Godart lindi në Lion në vitin1871.

Ai ishte përfaqësues i senatit francez dhe anëtar i Misionit të Lidhjes së Kombeve në vitin 1912 për Ballkanin; kryetar i Fodacionit Kyri, deputet i zgjedhur qysh në vitin 1906 e deri kur u mbyll parlamenti në vitin 1940 në Francë, më parë Ministër i Punës dhe i Higjenës në vitin 1924.

Me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë në vitin 1937 mbreti Zog e ka dekoruar Urdhërin e Skënderbeut.

Godart ishte i zgjedhur nga miqtë francezë të Shqipërisë, president nderi i shoqatës Francë-Shqipëri. Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka vlerësuar J. Godart duke e dekoruar me “Urdhrin e lirisë të klasit të parë”.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?