Klajdi Zhilla

Kronikë

1000 € ryshfet për mos të hequr tendën e një lokali në Tiranë, Apeli i GJKKO lë në qeli 2 Inspektorët e IMT-së

30 Shtator, 11:26| Përditesimi: 30 Shtator, 12:18

  • Share

TIRANË - Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë sot (30 shtator) në fuqi masën “arrest me burg” Klajdi Zhillën dhe Gerald Fuçia dy nga zyrtarët e IMT-së të cilët akuzohen se morën 1 mijë euro ryshfet për të mos prishur tendën e një lokali në Tiranë më 27 gusht.

Ata kishin bërë ankimim në shkallën e dytë, por ditën e sotme kërkesa u rrëzua dhe u la në fuqi vendimi i shkallës së parë të GJKKO-së. Të dy akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.

Klajdi Zhilla bashkë me Gerald Fuçinë u kallëzuan nga vetë pronari i lokalit, se i kishin ofruar një marrëveshje që të mos ia prishnin tendën, kundrejt 1 mijë eurove. Policia, me miratimin e SPAK-ut, nisi përgjimet dhe më pas simuloi dhënien e parave.

Në kohën kur 1 mijë eurot iu dorëzuan punonjësit Klajdi Zhilla, 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali tjetër aty pranë. Policia ndërhyri menjëherë në lokal dhe në ato momente inspektorët i fshehën paratë në një gotë në banakun e lokalit.

Njoftimi i plotë:

1-Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 67 akti, datë 22.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim K.Zh., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 89, datë 01.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” dhe vendosi:

- Miratimin e Vendimit nr. 89, datë 01.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, me datë 30.09.2025.

2-Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi, sot më 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 69 akti, datë 23.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim G.F., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 88, datë 30.08.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” dhe vendosi:

Miratimin e Vendimit nr. 88, datë 30.08.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, me datë 30.09.2025.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Evropa: 30/09/2025 12:09

    hiqni nga qendrat e banuara, nga pallatet, serviset e makinave dhe motorave, magazinat etj, sepse Jane vetem garazhe dhe eshte i paligjshme ky lloj biznesi, krijojne ndotje akustike dhe rrezik per banoret

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?