Ilir Meta

100-vjetori i Dhomës së Tregtisë së Durrësit, Meta: Biznesi është rrënuar vitet e fundit, koha për të përmirësuar

19 Shkurt 2021, 16:53| Përditesimi: 19 Shkurt 2021, 17:00

  • Share

Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë në 100-vjetorin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit ku ka deklaruar se është koha për një rigjallërim, për t'i dhënë frymëmarrje dhe përmirësuar klimën e biznesit, e cila sipas tij është rrënuar së fundmi. Meta shton se kjo do të bëhet duke mbështetur sipërmarrësit me ide novatore, nëpërmjet politikave fiskale e ekonomike, që garantojnë konkurrencën e lirë.

Me këtë rast, Kreu i Shtetit e vlerësoi  Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, Durrës me Titullin e lartë “Për merita të veçanta civile”, me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj punës së vyer, që nga themelimi 100 vite më parë e deri në ditën tona, në drejtim të ndihmesës, inkurajimit, mbrojtjes dhe zhvillimit të pandërprerë të sipërmarrjes jo vetëm durrsake, por edhe kombëtare. Në vlerësim të mbrojtjes, përkujdesjes së veçantë ndaj interesave ekonomike të bashkësisë sipërmarrëse të Durrësit, duke rritur dhe zgjeruar vazhdimisht lidhjet dhe marrëdhëniet tregtare dhe industriale, si dhe duke promovuar edhe eksportin  e pandërprerë të prodhimeve autentike shqiptare”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, Presidenti Meta u shpreh:

“Kremtimi i 100-vjetorit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, është një moment historik jo vetëm për këtë qytet, por edhe për sipërmarrjen në nivel kombëtar. Që në fillesat e para, në vitin 1921, e njohur në atë kohë si ‘Oda e Tregtisë e Durrësit’ e deri sot, puna e këtij institucioni ka pasur një ndikim shumë të rëndësishëm për mbarë vendin. Misioni dhe veprimtaria e këtij institucioni ka qenë gjithmonë mbrojtja e përkujdesja ndaj interesave ekonomike të sipërmarrësve të Durrësit, për të rritur dhe zgjeruar vazhdimisht marrëdhëniet tregtare dhe industriale, por edhe për të promovuar eksportin e prodhimeve autentike shqiptare.

Puna 100-vjeçare e këtij institucioni i dedikohet edhe kryetarëve, që nga fillesat e deri më sot, si Idhomen Kosturi e kryetarët e nderuar të pas viteve 90-të, si Seid Kërtusha, Edmond Kosova, Sami Gjergji, Hajdar Kovaçi, Gani Buka, Andrea Xhavara dhe deri sot te Alban Isteri. Të gjithë e dimë se çfarë tragjedie pësuan sipërmarrësit, tregtarët dhe industrialistët durrsakë dhe gjithë ato familje të shquara të këtij qyteti, pas vendosjes së regjimit komunist edhe pse një pjesë e tyre kishin qenë ndër përkrahësit kryesorë të Luftës Antifashiste.

Megjithatë është shumë e rëndësishme, që ajo traditë e ndërprerë nga komunizmi por edhe arritjet më të mira të këtyre tre dekadave të ruhen dhe të konsolidohen më tej. Durrësi, për fat të keq, përveç problemeve që ka në tërësi klima e biznesit, është goditur shumë rëndë, në mënyrë të veçantë, nga tërmeti dhe nga pandemia, që kanë sjellë pasoja tepër serioze për turizmin, një industri mbi të cilën bazohet shumë ekonomia e familjeve durrsake, aq sa ulja e të ardhurave të biznesit ka arritur deri në 40%. Ndaj mendoj se tani është koha për një “restart” edhe për “Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit, por edhe për sipërmarrjen në përgjithësi, për 100 vitet që vijnë.

Unë jam optimist sepse talenti dhe tradita janë këtu. Jo vetëm kaq, por në 30 vite kemi një eksperiencë të jashtëzakonshme të përfituar edhe nga djemtë e vajzat e Durrësit, të cilët janë arsimuar dhe edukuar jashtë vendit dhe tani janë rikthyer plot ide duke zhvilluar me sukses projektet e nisura në Shqipëri. Lorenc Goga, është një prej tyre,  i cili vjen nga një familje tradicionale e Durrësit dhe aktivitetin kryesor e ka në Tiranë. Ai ka ikur në Itali në një moshë shumë të re, 14-vjeçare, është arsimuar e edukuar atje dhe që ka zhvilluar disa sipërmarrje në Shqipëri, që nuk kanë lidhje fare me pushtetin e asnjë periudhe. Përkundrazi, kanë lidhje vetëm me kohën në të cilin jetojmë dhe me sfidat që duhet t’i përballojmë së bashku, në mënyrë që biznesi shqiptar të ketë rritje në këtë botë të globalizuar. Ndaj është e domosdoshme të nxitim sipërmarrjet me ide novatore dhe jo sipërmarrësit e pushtetit, se është shumë e lehtë të bësh biznes duke u lidhur me pushtetin, por kështu vetëm sa dëmton klimën e biznesit në tërësi.

Unë gjithmonë kur flasin për sipërmarrjen, kam një pikë reference, që nuk është as Gjermania dhe as Suedia, por një vend shumë afër nesh,  Maqedonia e Veriut, që për gati dy dekada, renditet në nivel botëror sa i takon klimës së biznesit, nga vendi i 7 deri në vendin e 15 apo të 17 në botë, pavarësisht nga ndryshimi i qeverive apo i pushteteve. E gjitha kjo, sepse politikat ekonomike dhe fiskale në Maqedoninë e Veriut nuk ndryshojnë, por edhe sepse politikat mbështetëse për nxitjen e investimeve i ka  “agresive” dhe pozitive. Ndërkohë që ne kemi mundësi pa fund dhe në radhë të parë vetë Durrësi dhe gjithë zona jonë bregdetare për të qenë edhe më atraktiv”, tha Meta.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?