GJIROKASTËR- Tingujt klasikë të kompozitorit argjentinas Astor Piazzolla të ardhur përmes orkestër simfonike, krijuan një atmosferë të këndshme artistike në kalanë e Argjirosë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.
Koncerti “Ne dhe Piazzola” u mbajt në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së artistit argjentinas. Në festivalin “Gjiro-clasica” u interpretuan pjesë nga vepra e tij nga instrumentistët si Suela Picirri, Kristina Petrollari dhe Dorina Laro e cila thotë se aktivitete të tilla gjallërojnë jetën e artistike të qytetit.
'Është një kënaqësi e veçantë sepse ne prezantuam në 100 vjetorin e Astor Piazzolës kompozitorit argjentinas ku prezantuam gjithë pjesën më të madhe të veprimtarisë dhe krijimtarisë së tij. Sonte u gjëndëm këtu bëmë muzikë morëm emocion dhe shpresojmë të kemi dhuruar gjithashtu emocion dhe të rikthemi sa më shpejt në Gjirokastër me koncerte të tilla. '-tha violençelistja Dorina Laro.
Për muzikantët Llambi Margariti dhe Arben Rexha koncerti është një vlerë e shtuar për edukimin e publikut me muzikën klasike.
'Ndjejmë që përditë e më shumë kënaqësitë e artit pjesë e të cilit duhet të bëhen ushqim shpirtëror për njerëzit. S’është kjo e gjitha, sa rëndësi për mua merr kur një koncert i bukur orkestral, siç ishte sot ne e ndjejmë dhe shijojmë në kalanë e Argjirosë.'- tha artisti Llambi Margariti.
'Gjirokastra vërtet ka fol por ka edhe instrumentistë, që i ka dhënë jetë dhe gjallëri këtij qyteti dhe shpresojmë që së shpejti të kemi dhe ne instrumentistë tanë që të kemi koncerte për publikun e qytetit.'- tha muzikanti Arben Rexha.
Koncerte të tilla artistike do të vijojnë çdo fundjavë përgjatë gjithë sezonit turistik duke e shndërruar qytetin historik të Gjirokstrës një destinacion të zgjedhur për turistët vendas e të huaj.
Astor Piazzolla