100-vjetori i lindjes, ekspozita ‘Ëndrra e Federico Fellini-t’ çelet në Tiranë

20 Janar 2020, 17:30| Përditesimi: 21 Janar 2020, 09:24

  • Share

“Nëse do të tentoja që të jepja një përkufizim të saktë të asaj që më nxit, e mënyrës sime të të jetuarit edhe të menduarit, mendoj se është pikërisht kjo, që ti hapësh veshin dhe zemrën diçkaje që thuajse është harruar dhe që nuk do të doje që të harrohej”. Kështu e ka cilësuar mjeshtri i kinemasë italiane, por edhe i gjithë botës, Federico Fellini artin e tij. Ndërsa, në këtë 100-vjetor të tij të lindjes, si rrallëherë ekspozohen 19 vizatime nën titullin  “Ëndrrat e Federico Fellini-t” në galerinë “Gëzim Qëndro” në Tiranë. Pedagogu i “Dizajn urbanit” Sotir Dhamo dhe ai i “Arteve vizuale” Stefano Romano flasin jo vetëm për rëndësinë e vizatimeve, por edhe të gjurmëve të pashlyeshme të Fellinit tek artdashësit.

“Fellini përcjell një dimension të ndryshëm të kinemasë, mbi të gjitha atë të meditimit, që  nuk kuptohet me shikimin e parë, por kërkon përqendrim. Ideja e përçuar përmes filmave të tij, ka qenë si shkëndijë edhe dritë në një lloj errësire, në një moment kur në Shqipëri edhe të ëndërroje ishte diçka në kufijtë e së lejuarës. Në këtë aspekt, Fellini na bënte të kuptonim, se ëndrrat janë ajo pjesë që shtyn realitetin përpara. Ky dimension universal i Fellini-t na shtynte të ëndërronim atëherë, tani edhe do të na shtyjë edhe në të ardhmen”, shprehet pedagogu Sotir Dhamo.

 “Fellini ka qenë figurë e rëndësishme jo vetëm në kinematografi, por edhe në artin vizual. Fellini edhe në filmat e shkurtër që janë realizuar ka qenë figurë e rëndësishme, sepse na ka ndihmuar që të kuptojmë rëndësinë e ëndrrave. Ne kemi nevojë që të mësojmë sërisht, sesi të ëndërrojmë”.

Federico Fellini 

Regjisori  Ilir Butka, i cili shpjegoi para studentëve nëpërmjet filmit autoportret të Fellinit,  “Në tetë e gjysmë” kineastin italian, ndalet tek elementët ku mjeshtri zhvilloi punën e tij.

 “Është nga ata lloj krijuesish, që ka ndryshuar mënyrën e të parit të filmit. Është interesante të shikojmë sesa aktuale ishte ajo që ai tentoi, që të sjellë një kinematografi të shprehjes artistike. Nëse është kinematografia art apo industri, ai padiskutim e vendos këndvështrimin e tij në mënyrën e të bërit art, si shprehje artistike dhe jo si industri”, shpjegon Butka.

Nëpërmjet këtyre vizatimeve, të shkëputura nga “Libri i ëndrrave”, vjen një udhëtim nëpër dhomat më të fshehta dhe intime të krijimtarisë së Federico Fellinit, ku ashtu sikundër e konsideron drejtoresha e Institutit Italian, Alessandra Bertini Malgarini, është një “kozmografi e vërtetë personale, ku shtigjet emocionale, kulturore dhe erotike gërshetohen me ato gjeografike, arkitekturore, përkujtimore edhe fantastike”.

“Në këtë vit të madh që i është dedikuar Fellinit, ky është aktiviteti i parë që kemi organizuar me “Polis”, duke shpresuar që studentët të prekin magjinë e filmit, për të prezantuar më pas filmat e tij të restauruar edhe në shtator do të sjellim kostumet, dizajnimet edhe posterat e tjerë origjinal të Fellinit”, thotë Bertini.

Federico Fellini është regjisori i disa Oskarëve. Ndërsa, ekspozita do të qëndrojë hapur në galerinë “Gëzim Qëndro” në Universitetin “Polis” deri në datë 10 shkurt.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?