Elisa Spiropali në ceremoninë e 100-vjetorit të vrasjes së Gurakuqit

Politikë

100-vjetori i vrasjes së Luigj Gurakuqit, Spiropali në Itali: Ishte një demokrat autentik dhe besonte se Shqipëria mund të qeverisej në mënyrë demokratike e liberale

3 Mars, 15:34| Përditesimi: 3 Mars, 15:37

  • Share

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ishte sot në Bari, Itali ku dhe mbajti një fjalim në ceremoninë e organizuar me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së Luigj Gurakuqit.

Spiropali nënvizoi se Luigj Gurakuqi e mbylli rrugëtimin e tij tokësor në këtë qytet që e ka dashur po aq sa donte Shkodrën, qytetin e tij të lindjes.

“Ky ishte fati i Luigj Gurakuqit, patriotit, dijetarit, enciklopedistit, shkrimtarit, politikanit,  diplomatit, ekonomistit, shtetarit, parlamentarit dhe oratorit, i cili, prej një shekulli, nga ajo pllakë e thjeshtë, por simbol i fuqishëm, në Corso Vittorio Emmanuele, kundron vendin dhe njerëzit e qytetit ku gjeti strehë, por edhe ku dha frymën e fundit.

Delegat në Kuvendin e Vlorës, autori që shkruajti tekstin e Deklaratës së Pavarësisë dhe bashkëfirmëtar i saj, do të mjaftonin që Luigj Gurakuqin ta quajmë një ndër etërit themelues të shtetit shqiptar. Luigj Gurakuqi u vra në një periudhë të trazuar për Shqipërinë, në një kohë të turbullt për Italinë dhe në dekadë të mjegullt për Europën dhe botën”, tha Spiropali.

Gjatë fjalës së saj kryetarja e kuvendit nënvizoi se Gurakuqi besonte Shqipëria mund të qeverisej në mënyrë demokratike e liberale.

“Shqipëria kishte kapërcyer dekadën e parë si shtet i pavaruar, kishte kaluar disa vite të vështira dhe po hynte në një fazë të re organizimi e ndërtimi shtetëror. Luigj Gurakuqi ishte një demokrat autentik dhe besonte se Shqipëria mund të qeverisej në mënyrë demokratike e liberale, por, për fat të keq, Shqipëria nuk kishte arritur në këtë fazë pjekurie shtetërore e demokratike.

Një pjesë e klasës politike dhe qeverisëse të saj, te kundërshtari politik shihnin armikun dhe mundjen e tij e perceptonin, e donin dhe e arritën jo me vota e me zgjedhje, por me dhunë. Dhe jo vetëm në rastin e Luigj Gurakuqit.

Italia po kalonte gjithashtu vite të turbullta sepse ishin vitet e para të ndërtimit të diktaturës fashiste. Europa dhe bota gjithashtu ishin të kërcënuara nga ky rrezik, dhe pas pak më shumë se një dekade, do të shkaktonte shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore” shtoi Spiropali teksa theksoi se Luigj Gurakuqi nuk ishte një figurë as rastësore dhe as episodike, por një personalitet me rol vendimtar për fatin e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar.

“Ishin vitet kur Shqipëria po bëhej dhe patrioti dhe shtetari, luftëari dhe dijetari ynë i madh ishte gjithmonë aty. Ishte ndër më të spikaturit burra të Shqipërisë që i doli zot atdheut të vet me dije e me penë, por edhe me betejat e tij. Ishte jo vetëm një dijetar poliedrik, por edhe një luftëtar për pavarësinë e Shqipërisë.

Ishte ndër protagonistët kryesorë të Kongresit të Manastirit, i njohur si Kongresi i njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe, në vitin 1908, dhe ndër autorët kryesorë të alfabeteve të miratuar në këtë Kongres.

Ishte udhëheqës i përpjekjeve për krijimin e konceptit, përmbajtjes, karakterit dhe parimeve të shkollës kombëtare dhe sistemit arsimor shqiptar, jo vetëm si arkitekt, por edhe si zbatues i këtij sistemi, duke shërbyer si drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan në vitin 1909. Ishte edhe autor i disa qindra faqesh të teksteve shkollore”, theksoi më tej ajo.

Spiropali theskoi se më 1911 Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit e kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës dhe hartues i Memorandumit të Greçës, paralajmërues i pavarësisë së Shqipërisë.

"Luigj Gurakuqi nuk u bë ndër burrat më të shquar të Shqipërisë as në një ditë dhe as rastësisht. Ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, i cili gjithashtu, për një koinçidencë të trishtë, e kishte dhënë frymën e fundit, para gjashtë vjetësh, po në Itali, në Perugia.

Gurakuqi, para së të vinte në Vlorë në krah të Ismail Qemalit, kishte marrë pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, e cila ishte parapërgatitëse e pavarësisë së Shqipërisë. Etërit themues të Shqipërisë, u ndodhën në ato kohëra historike, përballë një lutjeje këmbëngulëse të popullit shqiptar: Bëni diçka për fatin e vendit tonë. Ata kanë dhënë jetën e tyre për Shqipërinë", tha Spiropali.

"Oratoria dhe aktiviteti parlamentar i Luigj Gurakuqit janë një referencë e çmuar për ne, parlamentarët shqiptarë.

Një demokrat me ide të qarta mbi kohezionin fetar dhe social të Shqipërisë, duke kërkuar dhe argumentuar teorikisht ndarjen e besimeve fetare nga shteti dhe harmoninë mes besimeve e komuniteteve fetare, sipas parimit të artikuluar nga vetë ai: “Feja e lirë në shtet të lirë”.

Në atë që do bëhej me kalimin e kohërave një ndër thesaret kulturore e kombëtare të Shqipërisë, bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë fetare, është edhe kontributi i Luigj Gurakuqit", shtoi ajo.

Spiropali po shtu nënvizoi se ai  ishte edhe një nxitës dhe mbrrujtës i miqësisë mes popujve.

"Duke qenë një patriot e diplomat i shquar, ishte edhe një nxitës dhe mbrrujtës i miqësisë mes popujve, dhe shërbeu si një një urë lidhëse e miqësie mes Shqipërisë dhe Italisë, shqiptarëve, arbëreshëve dhe italianëve. Kishte edhe disa arsye të veçanta që mbrujtën këtë vizion.

Shkodra e fëminisë së Gurakuqit ziente nga idetë e përpjekjet për t’ju ribashkuar familjes europiane, prej të cilës ishin shkëputur dhunshëm prej shekujsh. Në Shkodër kishin gjetur strehë prej vitesh veprimtarë politikë italianë, luftëtarë për bashkimin e Italisë. Prania e tyre në Shkodër ishte padyshim një prej arsyes së përhapjes së ideve të Partisë Maziniane ndër banorët e Shkodrës.

Studimet në Kolegjin e San Demetrio Koronës, ku jepte mësim atdhetari i flaktë, shkrimtari i shquar Jeronim de Rada, si edhe në Universitetin e Napolit, ku jepte mësim profesori i arbërishtes Zef Skiroi, luajtën rol në formimin e tij. Në itali u njoh nga afër me personalitete të spikatur të komunitetit arbëresh, si dhe me zhvillimet politike, shoqërore, kulturore e ekonomike të Italisë, por edhe të vendeve të tjera. Gjatë një shekulli, kjo qoshe dhe ky trotuar në Corso Vittorio Emmanuele, ku qytetarët e Barit kanë vendosur pllakën që përkujton vrasjen e patriotit dhe shkrimtarit shqiptar Lugj Gurakuqi, "kanë parë e kane jetuar” shumë momente historike.

Të cilat kanë dëshmuar se miqësia mes Shqipërisë dhe Italisë, një ndër arkitektët e të cilëve ishte Luigj Gurakuqi, është fuqizuar dhe u ka rezistuar sprovave të historisë. Kanë përjetuar episode dramatike, madje edhe tragjike, por edhe ngjarje të gëzueshme. Gjatë sfidave me të cilat historia i përballi gjatë një shekulli prej vrasjes së Luigj Gurakuqit shtetet e tyre, shqiptarët dhe italianët zgjodhën me mënçuri e inteligjencë të ruajnë e të zhvillojnë miqësinë mes tyre", tha ajo.

Në fund Spiropali tha se miqësia mes dy popujve është “përkthyer” në mbështetjen më të madhe që një vend e popull tjetër, mund të japë për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane.

"Ajo pllakë përkujtimore pa qytetarët e Barit dhe të Italisë t’u jepnin bukë e strehë emigrantëve shqiptarë që ikën nga vendi i tyre, në perëndim të diktaturës komuniste në fillim të viteve 1990. Shikon sot shqiptarët e Barit që janë intehruar në mënyrë perfekte në mjedisin social-kulturor barez, që kanë ndërtuar në këtë qytet, ashtu si në të gjithë Italinë,  shtëpitë e tyre, familjet e tyre, jetët e tyre, punët dhe sipërmarrjet e tyre, ëndrrat e tyre. Miqësia mes dy vende e dy popujve tanë është “përkthyer” në mbështetjen më të madhe që një vend e popull tjetër, mund të japë për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane.

Kjo pllakë, sot në 100-vjetorin e vrasjes së këtij vigani liberator, siç do ta quante Fan Noli, shikon dhe konfirmon se ëndrra e Luigj Gurakuqit për një Shqipëri “në caqet e idealit të tij”, siç shprehej në përcjelljen e tij shqiptari tjetër i madh Hasan Prishtina, po realizohet", përfundoi Spiropali.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?