102-vjetori i lindjes shkrimtares së parë shqiptare Musine Kokalari, që refuzoi të ishte komuniste

10 Shkurt 2019, 14:59| Përditesimi: 10 Shkurt 2019, 16:33

  • Share

Nga Valeria Dedaj

Shkrimtarja e parë shqiptare, e cila dha kontribut të madh në letërsi dhe i kushtoi vëmendje gruas shqiptare, Musine Kokalari ka sot 102-vjetorin e lindjes. Shkrimtarja disidente e vlerësuar për tregimet me karakter moral, për përrallat edhe rrëfenjat e frymëzuara nga folklori toskë. 

Në veprat e saj mbizotëron tensioni qytetar edhe mendimi demokrat, cilësi këto që i ruajti deri në ditët e fundit të jetës së saj, gjatë përndjekjeve që i bëri regjimi komunist shqiptar.

Musine Kokalari u rrit në një familje intelektualësh, mes librave me përralla, rrëfenja, histori edhe me gametafonin, ku dëgjonte muzikë tradicionale shqiptare në vendlindjen e saj, në Gjirokastër. Kreu institutin “Motrat Qiriazi” dhe shkollën e mesme “Nana Mbretneshë”, për të vijuar më pas studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë në La Sapienza në Itali.

Vargjeve e para poetike të shkrimtares janë rrëfimet e përmbledhura në “Kolla e vdekjes” (1937). Shkrimtarja e parë shqiptare, me penën e saj kishte rrëmbyer vëmendjen e Lasgush Poradecit, Ali Asllanit dhe Ernest Koliqit që në hapat e saj të parë.   

Ndërgjegjësimi dhe emancipimi shoqëror i gruas shqiptare ka qenë një nga shqetësimet më të mëdha të Kokalarit.

Nënshkrimi i programit antikomunist i hartuar për “instalimin e një sistemi demokratik”, që u drejtohej diplomatëve të huaj, që të favorizonin shpalljen e zgjedhjeve të lira, bëri që shkrimtarja Musine Kokalari, të kalonte 16 vjet në burg (1946-1961).

Në gjykatë, Kokalari mbajti këtë qëndrim:

"Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund ti persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!"

 Ndërsa, deri në ditën që do të ndahej nga jeta ( 13 gusht 1983) u internua në një banesë të mjerë, që ia kishte caktuar regjimi komunist në Rrëshen. Për të kjo ishte një periudhë edhe më e rëndë, morale, fizike edhe psikologjike, ku i duhej të bënte izolim të detyruar edhe teksa ishte e sëmurë.

Por, përpos torturave çnjerëzore që kaloi në jetë, shkrimtarja nuk e humbi dashurinë për librat.

Kjo bën që ajo të kujtohet përherë, si figura emblematike e shkrimtares shqiptare edhe si shembull i qëndresës intelektuale, që ka la për brezat pas saj, vepra, si “Siç më thoshtë nënua plakë”, “Reth vatrës”, “Kolla e vdekjes” e shumë të tjera. Ndërsa, vepra e saj e fundit, politike edhe autobiografike është “Si lindi Partia Socialdemokrate”. Në 100-vjetorin e lindjes u hap edhe Dosja e Musine Kokalarit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?