105 kg kokainë në kontejnerin me banane, kush janë 3 shqiptarët e arrestuar në Selanik! Në pranga ranë edhe 7 grekë e 4 maqedonas

13 Maj 2023, 12:58| Përditesimi: 13 Maj 2023, 14:06

  • Share

Edmond Gjini dhe 2 vëllezërit Remsi e Dritan Uka, janë 3 shqiptarët e arrestuar në Greqi, në mesin e 14 personave në total, për sasinë prej 105 kg kokainë të kapur më 9 maj në Selanik. Report Tv mëson se autoritetet shqiptare janë kontaktuar nga ato greke për shkëmbim informacioni në kohë reale në lidhje me rastin, për të zbuluar më tej nëse sasia e madhe e kokainës do të kalonte edhe në vendin tonë, për t’u shpërndarë më tej në vende të Bashkimit Evropian, apo detaje të tjera që mund të ndihmojnë në hetime.

Nuk dihet nëse 3 shqiptarët e arrestuar kanë pasur rol të mëparshëm të ngarkesave të tjera të ardhura me banane nga vendet e Amerikës Latine, në të cilët fshihet kokaina, por në rastin e fundit 2 vëllezërit kanë pasur detyrë nxjerrjen e kokainës nga kontejneri dhe me pas saldimin e tij, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo detyrë është kryer në një magazinë jashtë portit, të cilën e përdornin si bazë të kalimit të drogës nga kontejneri në kamion. Bashkë me 3 shqiptarët u arrestuan edhe 7 grekë, në mesin e të cilëve edhe koka kryesore e trafikut, një mjek me të shkuar kriminale në trafikun e lëndëve narkotike të forta, i cili bashkë me djalin dhe nipin organizuan gjithçka. Lënda narkotike, e cila do të nisej drejt Shkupit, do të transportohej me një kamion me targa të Gjevgjelisë, çfarë ka bërë që në hetime të përfshihet edhe Maqedonia e Veriut, e cila nga ana e saj arrestoi 4 shtetas të saj.

Sipas dosjes hetimore, rezulton se vetëm 5 ditë para operacionit të policisë së Selanikut, një ngarkesë tjetër me banane është larguar nga porti nga të njëjtën porositës, ka ndaluar për disa orë në të njëjtën magazinë që kishte destinacion kamioni me 105 kg kokainë dhe më pas ka vijuar udhëtimin drejt Shkupit, nga ku dyshohet se edhe ajo ka pasur kokainë. Kur ngarkesa e radhës erdhi, ku edhe u gjet kokaina, drejtuesi i mjetit nuk ndaloi nga sinjalizimi i policisë, deri në momentin që u përplas me një tjetër automjet që vinte nga krahu i kundërt. Në hetim janë edhe 6 ngarkesa të tjera me banane dhe jo vetëm, që kanë mbërritur në Portin e Selanikut që nga nëntori i vitit 2022.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gani: 13/05/2023 14:47

    Gjurmet te çojne ne doganat shqiptare. Nga i pari deri te cani. Atu i keni po ka bytje spak te reagoje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?