Janaq Paço dhe një nga veprat e tij

105-vjetori i lindjes/ Janaq Paço shpirti i lirë i skulpturës shqiptare

15 Mars 2019, 09:01| Përditesimi: 15 Mars 2019, 10:32

  • Share

Në këtë 105-vjetor të lindjes figura e Janar Paços shfaqet në dritë më të plotë. Janë kolegët dhe nxënësit e tij, të cilët pa kurrëfarë kompleksi dhe xhelozie e cilësojnë sot Janaq Paçon si një nga mjeshtërit më të mëdhenj të skulpturës shqiptare. Duke folur për shpirtin e lirë të Janaq Paços, Hektor Dule, “Skulptor i Popullit” rrëfen se kujtimet janë, sa të vyera, por edhe plot dhimbje për vuajtjet që i shkatoi artistit sistemi komunist. Hektor Dule ka qenë nxënës i mjeshtrit të skulpturës dhe e vlerëson krijimtarinë e Janaq Paços në vlerën më sipërore, duke e lidhur, jo vetëm me vlerat artistike, por edhe me vlerat humane të artistit. Ja çfarë shkruan Dule për Janaq Paçon.

“Janaq Paço ka qenë pedagogu im në vitet e Liceut Artistik “Jordan Misja”, e mbaj mend mjaft mirë, se na ka dhënë mësim në vitin e tretë dhe të katërt në degën e skulpturës. Grupi ynë i skulpturës përbëhej nga Thoma Thomai, Muharrem Fejzo, Llukan Bushi, Sami Turku , ndërsa në lëndët e tjera si në vizatim kishim pedagogët Abdullah Cangonji (Emini) dhe Kel Kodhelin. Lëndën e skulpturës përveç Janaq Paços na e jepte mësim edhe Dhimo Gogollari, i cili sapo kishte mbaruar Liceun, ai ishte një skulptor i pjekur dhe punimet e tij janë ekselente.Në klasën e skulpturës na ka dhënë mësim dhe skulptorja Kristina Koljaka (Hoshi), krahas Janaq Paços. Ata të dy mbaj mend se na kanë dhënë dhe lëndën e anatomisë artistike në Lice. Klasa jonë e skulpturës që kreu studimet në vitet 1952-1956, përbëhej nga Muntaz Dhrami (Gjirokastra), Sotir Kosta (Përmeti), Nasibe Cerova (Kuçova), Stefan Prifti (Kuçova) dhe në vitin e tretë të studimeve grupi ynë u nda në dy drejtime: ajo e skulpturës së kavaletit ku bënin pjesë unë (Hektor Dule) dhe Muntaz Dhrami dhe ata që do merreshin me gdhëndjen e gurit  dhe të drurit ku bënin pjesë Sotir Kosta, Stefan Prifti dhe Nasibe Cerova.Me artistin Janaq Paço u miqësova aq shumë sa ai më lejoi të punoja në studion e tij, aty afër ndërtesës së Parlamentit Shqiptar. Në studion e tij modeste unë realizova një reliev me dimensione jo të vogla kushtuar Skënderbeut, i cili u ekspozua në ekspozitën me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së tij, më 1968 dhe më vonë u derdh në beton dhe u vendos në Gjirokastër.

Mendoj se krijimtaria e Janq Paços lidhet jo vetëm me aftësitë e tij profesionale, të cilat spikasin në të gjitha punimet e tij, por sigurisht edhe me vlerat njerëzore dhe qytetare. Kam vënë re se heshtja dinjitoze e tij fliste më shumë se fjala. Në momentin kur dëgjova për thyerjen e punëve (nudove) që ishin si madhësi rreth 1. 2 m (sa 2/3 e madhësisë natyrale), mu mbyll goja dhe s’mundja të flisja. Në fakt mu hap zemra më shumë pas kësaj ngjarje të kobshme jo vetëm për PAÇON por për të gjithë artin shqiptar. Pas disa kohësh e takova përsëri Profesorin dhe pashë që i dridheshin duart, shkak ishte sëmundja e parkisonit që mori jetën këtij artisti të madh. Të mos harrojmë se Janaqi ishte nxënësi i skulptorit grek Dimitriadhis, i cili në rininë e tij kishte frekuentuar si shumë të tjerë studion e artistit francez August RODEN. Vlera e JANAQ PAÇOS shfaqet jo vetëm në nudot e tij që do të mbeten në kujtesën nga fotografitë e mbetura të realizuara nga një dorë mjeshtërore – fotografi Pleurat Sulo, i cili ruan edhe të drejtën e autorit të fotove të punimeve të Janaq Paço-s, ku ndjehet shpirti i Janaqit, ndryshe ato nudo nuk mund të realizoheshin.

Vlerat e tij Janaqi i ka treguar në shumë portrete të derdhura në bronx dhe material të fortë, sidomos në buste dhe kompozimet figurale, por do veçoja okuestrin madhështor të Skënderbeut në Krujë dhe Prishtinë. Janaq PAÇO arriti që veprën e tij – monumentin e Skënderbeut, në Krujë - ta derdhë në bronx në Budapest (Hungari), ku artisti mori dhe komplimentat e sinqerta të skulptorit hungarez STROBE KISHFLANDI dhe të mjeshtrit tjetër hungarez MAKRIZ AGAMENO.Vlerë tjetër nga mjeshtri i madh është busti i Qemal Stafës, i cili ka rezistuar dhe do të rezistojë në kohë si një nga arritjet më të shkëlqyera të skulpturës shqiptare.Kontribut të ndjeshëm Janaq Paço, Odise Paskali dhe Andrea Mano dhanë në realizimin e monumentit okuestër të Skënderbeut në Tiranë, vendosur në sheshin me të njëjtin emër. Vlera më e madhe e Janaqit mendoj se është koncepti i vizatimit të formës së mbyllur me përmbajtje emocionale. Eshtë një ndjesi e veçantë për formën, ndjesi e cila lind dhe nuk mësohet tek asnjë njeri tjetër, i cili nuk është pjellë si Janaq Paço.”

Thoma Thomai: Janaq Paço ishte një shpirt i lirë

Skulptori i njohur Thoma Thomai, autor i dhjetëra veprave kombëtare ka qenë një nga nxënësit e Janaq Paços. Thoma Thomai flet me adhurim për veprën dhe qëndrimin e artistit si një shpirt i lirë që sfidoi peshën e  rregullave të artit të realizmit socialist. Ja çfarë shkruan skulptori Thomai për Janaq Paçon.  

“Gjatë viteve 1950-1954 kam ndjekur mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja “në Tiranë. Në vitin e parë ne kishim lëndën e plastikës dhe vizatimit ku merrte pjesë e gjithë klasa, ndërsa në vitin e dytë u ndamë në dy grupe: piktura dhe skulptura. Me veprat e Odhise Paskalit isha njohur në Korçë, ndërsa në ato vite kur fillova mësimet në Lice, Janaq Paço kishte fituar konkursin për realizimin e Monumentit të Skënderbeut. Paço si pedagog kishte një cilësi të veçantë pasi krijonte situatë në klasë. Në grupin e skulpturës isha sëbashku me Llukan Bushin, Sami Turkun dhe Muharrem Fejzon. Odhise Paskali deri në vitin e dytë na jepte lëndën e plastikës dhe historisë së artit. Ishin pedagogë shumë të komunikueshëm dhe shpesh herë na merrnin edhe në studiot e tyre, I mbaj mënd vitet e Liceut Artistik si vitet më të bukura. Mbaj mend se kur mbaruam Liceun, Sami Turku dhe Llukan Bushi e ndihmuan në studio Janaqin në realizimin e variantit të monumentit të Skënderbeut, - me imazhin e të cilin mbyllej finalja e filmit Skënderbeu.

Gjithë krijimtarinë e Paços në ato vite besoj se kam parasysh, sepse ne e ndiqnim atë, pasi ai na merrte në studio dhe ne i shikonim punimet që ai realizonte në baltë. Skënderbeun e Krujës unë e konsideroj si një vepër që do nderonte çdo qytet, jo vetëm Krujën dhe Prishtinën, por edhe gjetkë. Sigurisht Paço ishte një shpirt i lirë. Kam arritur ti shoh në allçi nudot e Paços dhe ishin goxha si madhësi – në madhësi natyrale. Në ato vite kam përshtypjen se tema kryesore ishte ajo e klasës punëtore dhe Paço duke qënë shpirt i lirë, realizoi papritur një koleksion me nudo. Paço ka qenë më shpërthyes në ekspozitën e fundit kombëtare atë të vitit 1989, ku u nderua me çmim të parë me punimin “Vajza me rruaza” (sot në GKA).”

Naxhi Bakalli: Busti i Qemal Stafës i realizuar nga Janaq Paço

Skulptori i njohur Naxhi Bakalli sjell në kujtesë një nga veprat më të realizuara të figurave historike, siç është busti i Qemal Stafës. Duke kujtuar ndjeshmërinë edhe ngrohtësinë që Janaq Paço i ka dhënë figurës së këtij djalososhi të ri që ra dëshmor për lirinë e evndit, kujton përgjatë gjithë jetës sesi e ka njohur një Janaq Paçon “të dashuruar pas skulpturës”. Ja çfarë shkruan Naxhi Bakalli për Janaq Paçon: 

“Jo të gjithë e dinë që busti i Qemal Stafës është ndër të parat skulptura të vendosura ndër sheshet e Tiranës mbas çlirimit të vendit. Figurë e plastifikuar bukur dhe e fiksuar në një ideal rinor për jetën. Skulptori i atij busti është Janaq Paço, që ka studiuar në Akademinë e Athinës, që vite më vonë do të ishtë mësuesi im i lëndës së “Plastikës”, në vitin e parë të Liceut Artistik të Tiranës dhe vite më vonë kolegu i tij.

Studioja e tij e skulpturës rastësisht ishte afër shtëpisë time kështu që Paçon qëllonte ta shikoja shumë shpesh. Ai ishte shumë i dhënë pas punës, do të thoja pa hezitim i dashuruar mbas skulpturës. Plastifikonte ndjeshëm dhe çlironte gati në një frymë imazhet e përfytyrimit të tij. Nga kjo prirje ai do të karakterizohej gjatë gjithë jetës. Një shembull i tillë do të ishtë një reliev në dimension gati 30 x 20 cm i periudhës së arsimimit akademik që do të kishte motiv një valle arkaike greke. Plastika e terësisë së valles ngrihej mbi një sipërfaqe jo më shumë së një milimetër e gjysëm. Megjithatë çdo gjë vihej në dukje me një ndjeshmëri të qartë. Më kujtohen disa shembuj nga relievet asiro-babilonase që pata parë në muzeun e Vatikanit, rrafshet dhe motivet mbi to ishin tepër të ulëta dhe megjithatë tepër befasuese dhe mjeshtërore.

Ky ishte Janaq Paço përsa i përket ndjeshmërisë plastike. Është mjeshtërore dhe e rrallë ajo. Ai diti të kuptojë shumë mirë së çfarë do të thotë të krijosh dritëhijen tënde në plastikë. Vërtetësia dhe fokusi plastik varen prej saj. Kjo dukuri është e pranishme veçanërisht në skulpturën e Skenderbeut mbi kalë, që ndodhet në sheshin kryesor të qytetit të Krujës, ashtu si dhe në serinë e kompozimeve të dimensionit 50 x 40 cm që pati bërë gjatë viteve tetëdhjetë – nëntëdhjetë. Ato kompozime do të karakterizohen nga një kthjelltësi siluetash, ndjeshmërie e thjeshtësi trajtimi dhe tematika humane si dashuria për jetën, trashëgimia, triumfi i hovit njerëzor, bukuria e njeriut dhe njerëzorës. Më vjen keq që fati i tyrë qe i trishtë. Mbeti në jetë me shenjën e nderit, dinjitetit dhe vlerën e çmuar të veprave të tij.”

III

Pjesëmarrje të Janaq Paços në disa nga ekspozitat kryesore

1942  -  Ekspozitë kolektive në Kafe “Kursal”, Tiranë. Pjesmarrës me dy punime(Nudo dhe portretin “Motra”- e cila u nderua me çmim në ekspozitë
1950   - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative. Artisti morri pjesë me dy punime:”Punëtori” dhe “Qemal Stafa”.
1949 - 1959 - Punoi për realizmin e monumentit të Skënderbeut,(Bronx), që u vendos në qytetin e Krujës më 27 nëntor 1959.

1946 -  Busti i Qemal Stafës, beton, Tiranë, 1946,

1953  - Busti i Avni Rustemit, Vlorë, 1953.

1954  - Busti i Kajo Karafilit, Kavajë,1954

1956  - Busti i Hoxha Tahsim, Sarandë, 1956,

1960 -  Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative . Artisti morri pjesë me një punim: “Djali im”.
1964 -  Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 20 vjetorit të çlirimit. Artisti morri pjesë me një punim:”Enver Hoxha”.  

1964-1968  -  Bashkautor me Odise Paskalin dhe Andrea Manon për realizimin e monumentit të Skënderbeut në Tiranë, vendosur në sheshin “Skënderbej”.
1969  -  Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 25 vjetorit të çlirimit. Artisti morri pjesë me një punim: “Fonditori”
1973  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 30 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore.. Artisti morri pjesë me një punim: “Ushtari”(GKA, Tiranë).
1975  - Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative  kushtuar 30 vjetorit të krijimit të Flotës Luftarake Detare. Artisti morri pjesë me dy punime: “Medaljon” dhe “Marinari”.
1977  - Busti I Aleksandër Xhuvanit, Elbasan,1977.                       

1979 - 1982 - Realizoi në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë, grupin skulpturor “Skënderbeu dhe populli”, Beton i bardhë. (bashkautorë me Genc Hajdarin).                                                              

1984. –.     Ekspozita Kombëtare me rastin e “40 Vjetori i Çlirimit “ .Mori pjesë me veprën:: “Vreshtari”.

Ekspozita vetjake

1954- Ekspozita e parë vetjake e artistit në Tiranë, me rastin e 50 vjetorit të lindjes.

1977 - Ekspozitë vetjake e çelur në Uzinën e Autotraktorëve, Tiranë

1993-  Ekspozitë vetjake në  Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë(Pas vdekjes)

24.04.1993-Ekspozitë vetjake te Piramida “Nudot dhe diktatura”

Ekspozita jashtë Shqipërisë

1970 . - Ne Vjene (Austri) Ekspozitë kolektive e çelur nga shteti shqiptar. Artisti mori pjesë me veprën “Kokë vajze”, Bronz. Ekspozita prezantonte 26 autorë me 42 punime (10 Skulptura)

1972 = Në Prishtinë (Kosovë). Ekspozita e Arteve Figurative. Artisti mori pjesë me veprën “Portret vajze”, bronz, Ekspozita prezantonte 46 autorë me 98 vepra arti (73 Piktura, 25 Skulptura)

1974- Paris (Francë) në “Petit PALAIS”. Ekspozita me titull “Arti i kohës tonë”, Artisti mori pjesë me veprën: “Kokë vajze”, bronz. Ekspozita prezantonte 27 autore me 38 punime (25 piktura, 9 skulptura dhe 8 grafika)

1984. – Paris (Francë).  Ekspozitë e organizuar nga shteti shqiptar. Artisti mori pjesë me veprën: Biri im ,  bronz. Ekspozita prezantonte 56 autore me 109 punime (78 piktura, 31 skulptura).

1985. – Romë (Itali) Ekspozitë e organizuar nga shteti shqiptar. Artisti mori pjesë me veprën: Biri im ,  bronz. Ekspozita prezantonte 58 autorë me 105 punime)

Kastrioti

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?