Për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, sot Policia është e transformuar totalisht! Sipas tij, sot uniformat blu janë më të besueshme, më profesionale dhe ofrojnë shërbime më cilësore.
“Sot Policia është transformuar pothuaj tërësisht në filozofi dhe në mentalitet, është më profesionale, shumë më e besueshme dhe ofron për qytetarët një shërbim shumë më cilësor. Së dyti, të nderojmë e vlerësojmë të gjithë pjesëtarët e ndershëm të Policisë, të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan në përballje me elementët kriminalë, në çdo skaj të atdheut, larg familjeve dhe në kushte jo të përshtatshme pune e jetese, por me bindjen e brendshme dhe pasionin e lartë për t’i shërbyer me vigjilencë e rigorozitet ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve me jetën e tyre dhe garantimit të së ardhmes së sigurt në vend. Potencialet intelektuale e profesionale të Policisë Shqiptare janë të nivelit dhe standardeve që sigurojnë efikasitet të lartë në përmbushjen e misionit të saj, si në fushën e krimit të organizuar, ashtu edhe në atë të policimit në tërësi.
Policia e Shtetit, si asnjëherë më parë, sot është e inkurajuar, e mbështetur dhe e besuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe agjencitë të tjera ligjzbatuese. Kjo provohet më së miri nga dhjetëra operacione ndërkombëtare, në të cilat Policia e Shtetit ka qenë e barabartë me homologët e saj, për të luftuar e goditur pa kompromis grupet kriminale dhe ato të organizuara, në dhjetëra hetime të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare”, tha ai.
Veliu bën një bilanc të punës së policisë për vitin 2020.
“Në vitin 2020, në kuadër të objektivit të Qeverisë Shqiptare për ofrimin e shërbimeve online për qytetarët, Policia e Shtetit ka marrë detyrime dhe ka zbatuar ofrimin e disa shërbimeve online. Institucioni po punon që edhe 53 shërbime të saj, t’ia ofrojë publikut online, duke zbatuar kështu një standard tjetër në drejtim të ofrimit dixhital të këtyre shërbimeve, kursimit të kohës dhe parave nga ana e shtetasve dhe evitimit të pengesave subjektive. Numrat pa pagesë 112 dhe 129, si dhe Komisariati Dixhital janë të tjera ura komunikimi mes Policisë e qytetarëve dhe mundësi që nga celulari i tyre të denoncojnë çdo paligjshmëri, me anonimitet. Qindra automjete dhe motomjete të reja, të pajisura me logjistikën e duhur, i janë bashkuar flotës së makinave të Policisë së Shtetit. Gjej mundësitë për të përsëritur falënderimin për qeverinë shqiptare dhe partnerët tanë, për mbështetjen dhe kontributin e tyre në këtë drejtim.
Me mbështetjen e fuqishme të qeverisë, Policisë së Shtetit, vitin e fundit iu shtuan edhe 500 vende organike, çka solli marrjen e 500 të rinjve e të rejave, duke rritur akoma më shumë prezencën e Policisë në Komunitet.Hapja e dyerve të Policisë për studentët ekselentë në disa degë të caktuara, bëri që dhjetëra studentë ekselentë t’i bashkoheshin Policisë së Shtetit këto tri vitet e fundit. Lufta kundër kultivimit të kanabisit, kundër krimit të organizuar, ulja e numrit të vrasjeve dhe e aksidenteve rrugore me pasoja fatale për jetën, si dhe historia e suksesit OFL gjatë vitit 2020, ishin sfida madhore që Policia e Shtetit i përmbushi me sukses, pa lënë mënjanë sezonin turistik apo përballimin e ngarkesës së jashtëzakonshme të protestave të dhunshme, ku u plagosën dhjetëra punonjës policie.
Një tjetër sfidë që Policia e Shtetit po ia del me sukses është angazhimi dhe sakrifica që punonjësit e Policisë po bëjnë përditë e përnatë për monitorimin e zbatimit të masave anticovid, duke përballuar mbingarkesën në punë, por mbi të gjitha stres nga infektimi me covid i tyre dhe i familjarëve të tyre. Edhe në këtë sfidë Policia e Shtetit ka humbur 23 punonjës.
Tashmë Policia e Shtetit është një nga organizatat më të besuara dhe të vlerësuara nga qytetarët, kjo e provuar nga anketimet e kryera nga partnerët tanë, gjë që na obligon akoma më shumë për të përmirësuar më tej shërbimin policor, imazhin e performancën, si dhe për të rritur akoma më tej forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti dhe së bashku me besimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve të krijojmë një ambient shoqëror sa më të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë”, shtoi drejtori i Përgjithshëm.
Veliu rendit edhe punët që i presin.
“Viti që sapo ka nisur, është një tjetër vit plot sfida për Policinë e Shtetit. Jemi përpara zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe përfitoj nga rasti t’iu kërkoj të gjithë punonjësve të policisë së Shtetit që të ruajmë standardin e arritur duke treguar se Policia e Shtetit është në funksion të ligjit dhe vetëm të ligjit.
Parandalimi i kultivimit të kanabisit, ulja e numrit të vrasjeve dhe aksidenteve rrugore me pasoja për jetën, lufta kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, përballimi i sezonit turistik dhe i pandemisë, janë të tjera sfida që kërkojnë nga secili prej nesh, më shumë angazhim, përkushtim, ndershmëri dhe profesionalizëm”, tha Veliu.
Lajmi kryesor:
108 vjetori i themelimit/ Çuçi: Policia e Shtetit, sot institucioni më i besueshëm! Veliu: Ka pësuar transformim rrënjësor! Ceremoni në disa qytete
B.K./ReportTv.al