Politikë

109-vjetori i Pavarësisë, Rama: Gëzuar! Meta: Ditë bashkimi e reflektimi! Basha homazhe me deputetët e PD-së në Varrezat e Dëshmorëve

28 Nëntor 2021, 10:12| Përditesimi: 28 Nëntor 2021, 21:06

  • Share

Në festën e flamurit dhe 109-vjetorinë e Pavarësisë, politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë dërguar urimet e tyre për shqiptarët kudo që ndodhen.

I pari, me logon e aeroportit të Vlorës ka shprehur urimin e tij kryeministri Edi Rama. Ndërsa pas tij, presidenti me duart në formën e shqiponjës së bashku me nipin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova ka uruar 109-vjetorin e pavarësisë. Në ditën e flamurit Meta ai ka përshëndetur të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Duke rreshtuar arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare në mënyrë kronologjike me një video, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka shprehur gjithashtu urimin e saj për ditën e Pavarësisë.

Në këtë ditë të veçantë për vendin tonë, nuk mund të mungonte urimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Përmes mesazhit të saj ajo theksoi se do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët, duke thelluar më tej lidhjet tona ndërmjet motrave e vëllezërve, sikurse edhe ato strategjike!

Me foton e flamurit kuqezi, edhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka dhënë urimin e saj për këtë ditë të veçantë për shqiptarët.

Me lule me kurora, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i shoqëruar edhe nga drejtues dhe deputetët e PD, ka kryer homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

Përmes një ceremonie Tirana ngriti gjithashtu flamurin Kuq e Zi për të përkujtuar 109 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj është kur shqiptarët bëhen bashkë, gjithmonë i’a dalin, duke shtuar se pikërisht kjo është forca jonë. Një urim të veçantë ka bërë edhe Princ Leka.

Ora 15:05
Nga shtëpia e Pavarësisë në Vlorë ambasadorja Kim uron në shqip me mesazhin e fortë

 

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zgjedhur shtëpinë e pavarësisë në Vlorë për të uruar 28 Nëntorin në gjuhën shqipe. Kim shkruan se 100 vjet më parë asgjë nuk mundi t’i ndalonte SHBA-të të mbronin pavarësinë e Shqipërisë, dhe asgjë nuk mund të na ndalojë të festojmë sot.

 “Asgjë nuk mundi ta ndalojë SHBA që të mbronte pavarësinë e Shqipërisë njëqind vjet më parë. Asgjë nuk mund të na ndalojë të festojmë sot 109-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Gëzuar!”, thekson ambasadorja amerikane.

Ora 13:02
Dita e Pavarësisë, Soreca: Gëzuar 28 nëntorin! Jemi krenarë që ju mbështesim në rrugën drejt BE

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca ka shprehur urimin e tij për 109-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Ai tha se BE është krenare që mbështet vendin tonë në rrugën drejt anëtarësimit në familjen e Bashkimit Evropian.  

Ambasadori e ka shkruar mesazhin e tij në gjuhën shqipe.

Ora 12:21
Ceremonia e ngritjes së flamurit Kuq e Zi në Tiranë, Veliaj: Një ditë e rëndësishme kur shqiptarët bëhen bashkë! Kjo është forca jonë

Përmes një ceremonie të veçantë Tirana ngriti sot flamurin Kuq e Zi për të përkujtuar 109 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në 28 Nëntor 1912 në Vlorë.

Ceremonia u zhvillua te Monumenti i Pavarësisë në Tiranë si dhe në sheshin Skënderbej, ku u vendosën kurora me lule.

Kryebashkiaku Veliaj shkruan në Tëitter se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për shqiptarët.

"Ceremonia e ngritjes së flamurit në Sheshin Skënderbej, në 109-vjetorin e Pavarësisë! Një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Kur bëhemi bashkë, gjithmonë i’a dalim! Kjo është forca jonë", shkruan ai.

Ndërkohë qytetarë të shumtë iu bashkuan thirrjes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për vendosjen e flamurit Kuq e Zi në ballkonet e shtëpive.

Ora 12:08
109-vjetori i pavarësisë, Princ Leka uron shqiptarët kudo që ndodhen: Flamur i shenjtë është aroma e bjeshkëve, gëzuar nga zemra

Princ Leka ka uruar shqiptarët kudo që ndodhen për 109-vjetorin e Pavarësisë.

Princa Leka ka publikuar edhe tekstin që sipas tij ndodhet në faqen e fundit të Pasaportës së Mbretërisë Shqiptare, ku jepen edhe mesazhe të forta.

Mesazhi i plotë:

Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë kudo që jetoni,

Ju uroj nga zemra gëzuar festën e Flamurit tonë kuq e zi!

Ai flamur i shenjtë është aroma e bjeshkëve, kreshta e maleve, flladi i rivierës, shkëlqimi i diellit mbi fushat e gjera me lule, dallgët e detit Adriatik dhe kthjelltësia e ujrave të detit Jon, vërshimi i Vjosës, freskia e Drinit, thellësia e kanioneve, kalatë mesjetare, legjendat e lashtësisë, larmia e folklorit, betejat në breza për liri, gjuha e vjetër dhe më e ëmbla!

Të puth në zemër flamur i përgjakur, flamur që i strehon të gjithë në gji…

Lum ata që të duan dhe të nderojnë, e mjerë ata të babëzitur që ta zbehin shkëlqimin, mjerë ata, se të pangopur e të palumtur do i kthehen tokës tënde…

Një urim të veçantë kam për shqiptarët në Kosovë, luginë të Preshevës, Medvegjë e Bujanocë, Mal të zi, Maqedoni të veriut, dhe Çamëri. Faleminderit që e mbani gjallë atdhedashurinë duke u bërë frymëzim patriotizmi edhe për ne që atdheun dhe lirinë i marrim të mirëqënë…

 

Ora 11:50
I shoqëruar nga drejtues dhe deputetë të PD, Basha homazhe në Varrezat e Dëshmorëve: Dita e pavarësisë mbush me krenari zemrat e shqiptarëve

Me lule me kurora, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i shoqëruar edhe nga drejtues dhe deputetët e PD, ka kryer homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës:

Sot kremtojmë ditën më të bukur të Kombit tonë që mbush me krenari zemrat e shqiptarëve, kudo ku ndodhen dhe na bashkon në kujtesën e betejave të mëdha për liri dhe pavarësi, e në nderimin e bijve dhe bijave të kombit tonë, që sakrifikuan gjithçka në emër të Kombit dhe nën flamurin kuqezi.

Ne përulemi me mirënjohje të thellë për Heronjtë dhe Dëshmorët e Kombit tonë, luftëtarët e Pavarësisë dhe të rënët për çlirimin nga pushtuesit, tek bijtë dhe bijat e Kosovës e mbarë kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe dinjitetin e shqiptarëve kudo në trojet e tyre stërgjyshërore. Sakrifica e tyre sublime, na frymëzon për plotësimin e aspiratës europiane të shqiptarëve për bashkim, liri dhe demokraci.

Gëzuar 28 Nëntorin!

Zoti e bekoftë Flamurin tonë kombëtar, Shqipërinë dhe kombin shqiptar!

Ora 11:40
Ilir Meta nga Vlora: Është dita për të reflektuar dhe për tu bashkuar për Shqipërinë

 

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ndodhet në Vlorë për ceremonitë e festimit të 109-vjetorit të Pavarësisë. Në një prononcim për mediat ai ka zgjedhur të japë një mesazh edhe për politikën.

 “Kjo është festa më e rëndësishme e kombit tonë, Dita e Flamurit, e Pavarësisë dhe të ditëlindjes së Adem Jasharit. Sot kemi vetëm mesazhe bashkimi kudo për të gjithë shqiptarët, pasi ky është flamuri i të gjithëve, është i Ismail Qemalit dhe i Isa Boletin, është një frymëzim për tu bashkuar dhe reflektuar dhe Shqipëria të jetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton në Bashkimin Evropian”, ka thënë Meta.

Ora 11:13
109-vjetori i Pavarësisë, Kryemadhi: Gëzuar shqiptarëve! Le të valëvitet i lirë ndër shekuj flamuri kuq e zi dhe të na frymëzojë

Kryetarja e LSI. Monika Krymadhi ka uruar shqiptarët kudo që ndodhen për 109-vjetorin e Pavarësisë.

Ajo shkruan se pavarësisht se vendi ynë sipas saj nuk ka kushtet më të mira për të jetuar, është i bekuar me të gjitha të mirat.

“Le të valëvitet i lirë ndër shekuj ky flamur kuq e zi dhe të na frymëzojë në veprimet tona, përmes vlerave të për bashkimit që kanë demostruar ata njerëz të mëdhenj që na e mundësuan këtë ditë!” , shkruan ajo në rrjetin e saj social, ndërsa postimin e ka shoqëruar edhe me një fotografi të flamurit kuqezi.
Në ditën e 28 Nëntorit, Partia Demokratike feston edhe ditën e çlirimit.

Urimi i Kryemadhit:

Për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, gëzuar Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit tonë Kombëtar! 

Sot ne nuk jemi në kushtet më të mira për të festuar, pasi shumë shqiptarë po largohen, të nxitur nga papunësia dhe pamundësia ekonomike. Ky vend është i bekuar me të gjitha të mirat, mirëpo njerëzit tanë po kërkojnë të drejtën për një jetë me dinjitet dhe më shumë mundësi larg tij.

Le të valvitet i lirë ndër shekuj ky flamur kuq e zi dhe të na frymëzojë në veprimet tona, përmes vlerave të përbashkimit që kanë demostruar ata njerëz të mëdhenj që na e mundësuan këtë ditë!

Të realizojmë misionin e gdhendur në Himnin Kombëtar, që Shqipëria të rrojë e fortë dhe të punojmë sëbashku për ta ndërtuar atë më të begatë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Ora 10:31
Bashkia 'vishet' kuqezi, Veliaj për 109-vjetorin e Pavarësisë: Gëzuar

Kuqezi është zgjuar Bashkia e Tiranës mëngjesin e sotëm, në nder të 109-vjetorit të pavarësisë.

Me këtë foto të veçantë të flamurit që stolistë ndërtesën, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj uruar shqiptarët.

“Gëzuar 28 nëntorin”, shkruan Veliaj.

GËZUAR 28 NËNTORIN

 

 

Ora 09:50
Dita e pavarësisë, Osmani uron shqiptarët: Gëzuar! Kosova do të jetë në krah të Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 109-vjetorinë e Pavarësisë së Shqipërisë.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, presidentja kujton se në këtë ditë ka lindur Adem Jashari, si dhe po në këtë ditë Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht, duke shtuar se të dy këto ngjarje i japin edhe më shumë kuptim nëntorit, sepse bartin në vete frymën e lirisë

Ajo shkruan se Kosova do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët, duke thelluar më tej lidhjet tona ndërmjet motrave e vëllezërve, sikurse edhe ato strategjike!

Mesazhi i plotë i Vjosa Osmanit:

Më 28 nëntor të vitit 1912, populli shqiptar e kurorëzoi aspiratën për  Shqipërinë e pavarur. Ky akt së bashku me ngritjen e flamurit në Vlorë janë akte të shenjta të historisë sonë të përbashkët, të cilën e ndërtuam me mund dhe sakrifica.

Kjo datë ka shumë peshë historike. Në këtë ditë ka lindur komandanti legjendar Adem Jashari dhe po në këtë ditë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u paraqit për herë të parë publikisht. Të dy këto ngjarje i japin edhe më shumë kuptim nëntorit, sepse bartin në vete frymën e lirisë, idealin e brezave që nga Skënderbeu, Ismail Qemajli, Isa Boletini e shumë patriotë të tjerë.

Në 109- vjetorin e pavarësisë, uroj që Shqipëria krahas Kosovës të ketë sukses në të gjitha fushat! Kosova do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë në të mirë të interesit të përbashkët, duke thelluar më tej lidhjet tona ndërmjet motrave e vëllezërve, sikurse edhe ato strategjike!

Gëzuar Dita e Flamurit, urime dita e Pavarësisë së Shqipërisë!

Zoti i bekoftë Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës!

Ora 09:04
Rreshtoi arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare përmes një videoje, ministrja e Jashtme uron: Gëzuar ditën e flamurit

Ministrja e Jashtme, Olta Xhacka ka shprehur urimin e saj për 109-vjetorin e Pavarësisë.

Me këngën “Për ty atdhe” në sfond, ministrja ka publikuar një video ku në mënyrë kronologjike paraqiten arritjet e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

“109 vjet pavarësi! Gëzuar Ditën e Flamurit Shqipëri”, shkruan ajo në rrjetin e saj social Facebook.

 

Ora 08:41
Me nipin e Ibrahim Rugovës dhe duart në formën e shqiponjës, Meta uron 109-vjetorin e Pavarësisë: Gëzuar shqiptareve kudo që ndodhen

Më duart në formën e shqiponjës dhe nipin e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Ilir Meta ka uruar 109-vjetorin e pavarësisë.

Në ditën e flamurit Meta ka përshëndetur të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

“Të dashur miq, Së bashku me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ju urojmë të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen: Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar!”, shkruan ai.

Ora 08:09
Me logon e aeroportit të ri të Vlorës, Rama uron 109-vjetorin e Pavarësisë: Gëzuar

Kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm është zgjuar me një urim për 109 vjetorin e Shqipërisë.

Postimin e tij në Facebook për ditën e flamurit, kryeministri e ka shoqëruar me disa fotografi të stemës së aeroportit të Vlorës i cili po ndërtohet,

“Mirëmëngjesi, gëzuar 28 Nëntorin”, shkruan ai.

Rama pritet që ditën e sotme të vizitoi aeroportin e Vlorës.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • O tej: 28/11/2021 19:39

    Ilir Metmuti hajduti….

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?