Teuta dhe Tirana luajnë nesër në orën 17:00 në Durrës. Në "Niko Dovana" do luhet sfida e javës së 20-të në Superligë, me vendasit e Edi Martinit që janë në fundin e renditjes.
Trajneri shkodran i Teutës, Martini ka besim se pas 11 sfidave pa fitore radhazi, të tijtë do bëjnë kthesën kundër Tiranës. Nga ana tjetër, bardheblutë kanë dy vite që nuk fitojnë në Durrës.
“Me Tiranën është ndeshje shumë e vështirë. Jemi stërvitur me maksimumin e ritmit, duke ditur edhe pozitat në klasifikim. Është një ndeshje që kërkohet ta fitojmë. Ndjesia nuk është e mirë, pasi të shikosh veten në fund nuk ndihem mirë. Megjithatë në ndeshjet që kemi luajtur kemi qenë të barabartë, pavarësisht kundërshtarëve dhe që nuk kemi arritur të fitojmë. Ndoshta kjo nuk ka ardhur për çështje fati, por edhe ana psikologjike nuk ka qenë e mirë", tha Martini.
Trajneri thotë se janë edhe 51 pikë në lojë dhe të tijtë do bëjnë çdo gjë për të siguruar mbijetesën.
"Me 51 pikë në lojë ne do të vazhdojmë të ecim përpara dhe të arrijmë sa më shumë fitore, mundësisht që nesër. Unë mendoj se më tepër është ana psikologjike ajo që i ka rënduar futbollistët për të mos shënuar gola, por sulmi dhe mbrojtja e një ekipi janë një. Kështu që nuk është vetëm faji i tyre, por edhe çështje fati. Ajo që duhet tani, është që djemtë të jenë të qetë para ndeshjes, të japin maksimumin në fushën e lojës, të fitojmë dyluftimet dhe topin e parë", tha shkodrani.
Martini më pas foli për Tiranën, duke treguar se e njeh kundërshtarin dhe pikat e forta të tyre.
"Kundërshtari? E dimë se çfarë pikash të forta ka Tirana. Kushdo që të shënojë gol nesër nuk ka rëndësi, pasi ne na duhet fitorja. Nuk do i vë sulmuesit para përgjegjësisë. Ka ardhur koha që të fitojmë. Presioni është i madh, por këta djem kanë treguar të kalojnë presione edhe më të vështira. Jam i bindur te kthesa nesër ndaj Tiranës. Situata është e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm për ndeshjen. Merkato? Mund të ketë ndonjë gjë të vogël, por unë e quaj ekipin të kompletuar”, u shpreh Martini.
Teuta me 16 pikë mban vendin e fundit në renditje, teksa Tirana me 29 pikë pozicionohet e treta pas 19 javësh të luajtura në Superligë.